Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Iranit të deklarojë publikisht se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për lundrim dhe të zotohen se do të ndalojnë sulmet ndaj anijeve tregtare, pas një serie incidentesh që rritën tensionet. Kërkesa u bë pas sulmeve ndaj tre anijeve cisternë komerciale në fillim të kësaj jave, ngjarje që sipas raportimeve shkaktuan përshkallëzim të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Teheranit.
Mediat amerikane raportojnë se zyrtarë iranianë i thanë homologëve amerikanë se të shtënat ishin rezultat i një gabimi dhe ia atribuan incidentin një grupi të brendshëm të linjës së ashpër. Sipas CBS News, Teherani privatisht pranoi tek këshilltarët e presidentit Donald Trump se incidenti ishte një gabim dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar negociatat. Një zyrtar amerikan citohet të ketë thënë se pala iraniane është rikthyer në tryezën e bisedimeve duke pranuar përgjegjësinë për ngjarjen.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se sulmet iraniane nënkuptojnë përfundimin e armëpushimit, megjithatë theksoi se bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit do të vazhdojnë. Njëkohësisht, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, akuzoi SHBA-në për shkelje të marrëveshjes. Araghchi ndodhet në Oman për takime me zyrtarët vendas, ndërsa në Oman pritet të mbërrijnë në vijim zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner për zhvillimin e bisedimeve diplomatike.
Sipas raportimeve, Uashingtoni ka përcjellë përmes ndërmjetësve rajonalë një mesazh ku kërkon nga Teherani jo vetëm të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, por edhe të pranojë publikisht se sulmet ndaj anijeve tregtare ishin një gabim. Paralelisht, një delegacion nga Katari zhvilloi bisedime në Iran me synimin për të ulur tensionet dhe për të lehtësuar lundrimin në këtë rrugë detare strategjike, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e tregtisë globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.

