Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një bisedë me të rinjtë në kampin Rin Camp 2026, ku u ndal te fenomeni i protestave dhe përhapja e lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Ai theksoi se Shqipëria në arenën ndërkombëtare gëzon respekt dhe konsiderohet një realitet i ri brenda komunitetit demokratik, ndërsa samitet i japin vendit mundësi për të tërhequr vëmendje si destinacion për biznes dhe turizëm.
Rama vuri në dukje se vëmendja e publikut ka rënë për shkak të pranisë së madhe të botës virtuale dhe përdorimit intensiv të telefonave, çka bën që komunikimi të jetë më pak i fokusuar. Ndërsa prania në ekrane nuk përcakton domosdoshmërisht arsyet e një veprimi, algoritmet e rrjeteve sociale veprojnë si amplifikatorë të pakënaqësive dhe të elementeve negative, duke rritur përhapjen e videove të manipuluara dhe lajmeve të rreme. Rama saktësoi se nuk i ka attribuar algoritmit shkakun e protestave, por e konsideron impaktin e tij të rëndësishëm në shtimin e zhurmës dhe negativitetit.
Kryeministri pranoi se protestat mbartin arsye të lidhura me jetën e përditshme të qytetarëve dhe se ato duhet kuptuar dhe interpretuar si duhet. Detyra e tij, sipas tij, është të kuptojë mesazhin që përçon çdo protestë, të identifikojë organizatorët dhe të marrë një pamje të plotë të spektrit të çështjeve dhe forcave të përfshira. Ai paralajmëroi për ndikimin e forcave armiqësore dhe dashakeqe ndaj Shqipërisë, të cilat, së bashku me dezinformimin, ndikojnë në perceptimin publik.
Si shembull, Rama përmendi rastin e Zvërnecit, ku, pasi u verifikuan faktet, rezultoi se perceptimi i krijuar nga kanalet e dezinformimit ishte i gabuar. Ai mohoi pretendimet se qeveria kishte shitur atdheun, duke sqaruar se në zonat ku qeveria ka përgjegjësi si administratore e pronës publike nuk ka pasur shitje; aktualisht po zhvillohen negociata dhe nuk ka ende një marrëveshje për përfshirjen si pronar.

