Spanja u kualifikua në gjysmëfinale të Botërorit, përplasja e së cilës po rëndon kalendarin e La Liga, i cili ishte parashikuar të nisë më 14 gusht. Kontrata kolektive e AFE (Shoqata e Futbollistëve Spanjollë) parashikon 21 ditë pushim të detyrueshme për secilin futbollist nga një sezon në tjetrin, çka nënkupton se ndeshjet e skuadrave me lojtarë të grumbulluar me kombëtaren duhet të shtyhen për të respektuar këtë periudhë. La Liga planifikonte fillimisht të shtynte vetëm Barcelona–Athletic Bilbao dhe Real Madrid–Real Sociedad, duke konsideruar se ato skuadra kishin më shumë futbollistë të angazhuar në Botëror; këto duele tashmë u shtynë, pasi shumë protagonistë do të jenë në gjysmëfinale. Megjithatë, rezultati i La Roja detyroi ndryshime të mëtejshme në kalendarin e kampionatit. Si pasojë, La Liga pritet të shtyjë me siguri edhe Celta Vigo–Osasuna, pasi Celta ka Borja Iglesias të thirrur nga kombëtarja, si dhe Atletico Madrid–Malaga, për shkak të thirrjeve të Pubill, Grimaldon e Baena nën urdhrat e trajnerit De La Fuente. Këtyre sfidave mund t’u shtohen edhe ndeshje të tjera si Valencia–Betis ose Sevilla–Rayo Vallecano, në varësi të përfshirjes së mëtejshme të lojtarëve me kombëtaren. Për momentin vetëm katër ndeshje mund të luhen në fundjavën e parashikuar të 14 gushtit: Alaves–Getafe, Deportivo La Coruña–Elche, Espanyol–Levante dhe Racing Santander–Villarreal. Megjithatë, ekzistojnë shumë mundësi që e gjithë java e parë e kampionatit të shtyhet dhe të riprogramohet në një mesjavë midis javës së dytë dhe të tretë të kalendarit të La Liga, pra rreth datave 26–27 gusht. Kjo opsion është pranuar edhe nga presidenti i La Liga, Javier Tebas; ndryshe, ai do të detyrohej të ndajë kalendarin e javës së parë në dy pjesë. (Top Channel)

