Spektakli i raundit të 1/8-ave të Kupës së Botës 2026 ka prodhuar formacionin më të mirë të kësaj faze, të ndërtuar mbi bazën e vlerësimeve individuale më të larta të futbollistëve në ndeshjet e tyre.
Në sulm përfshihen tre emra të mëdhenj: Lionel Messi (9.3), i cili konfirmohet si lider i Argjentinës në momentet vendimtare; Erling Haaland (9.1), protagonisti absolut i Norvegjisë pas dopietës historike ndaj Brazilit; dhe Charles De Ketelaere (8.5), falë paraqitjes së shkëlqyer me Belgjikën.
Mesfusha sjell cilësi dhe ndikim të madh në ndeshje. Jude Bellingham vlerësohet me 9.0 pas një performance fantastike ndaj Meksikës, ku realizoi dy gola dhe udhëhoqi Anglinë drejt çerekfinaleve. Në qendër vendoset Leandro Paredes (8.3), përshkruar si dirigjenti i Argjentinës, ndërsa Azzedine Ounahi (9.0) shpërblehet për paraqitjen mbresëlënëse me Marokun.
Reparti defensiv dominohet nga emra me eksperiencë dhe siguri. Në krahët e mbrojtjes janë Noussair Mazraoui (7.9) dhe Achraf Hakimi (7.4), ndërsa në qendër qëndrojnë Dayot Upamecano (7.5) dhe Cristian Romero (7.7), të dy me paraqitje solide në sfidat e tyre.
Porta i besohen zviceranit Gregor Kobel, i vlerësuar me 9.3 dhe përshkruar si një nga heronjtë absolutë të raundit, duke rezultuar portieri me vlerësimin më të lartë.
Ky formacion përmbledh futbollistët që kanë lënë gjurmën më të madhe në fazën e 1/8-ave dhe deri në këtë moment të Botërorit. Skuadra përbëhet nga kampionë, surpriza dhe protagonistë, dhe reflekton se Kupa e Botës 2026 po ofron performanca individuale të nivelit më të lartë.

