Një 43-vjeçare amerikane, Jamey Carney, u gjet e pajetë në banesën e saj në Killarney, Irlandë. Vajza e saj 13-vjeçare zbuloi trupin të martën në mëngjes, të mbuluar me një batanije në dhomën e gjumit. Fillimisht u raportua se viktima kishte pësuar goditje në kokë; në trup u konstatuan plagë të shumta në kokë, por autopsia përcaktoi se shkaku i vdekjes ishte mbytja nga asfiksia.
Policia irlandeze ka nisur një hetim për vrasje dhe po kërkon partnerin e saj, 28-vjeçarin Ahmad Alsaqer, një azilkërkues me origjinë nga Lindja e Mesme. Hetimet e para tregojnë se Alsaqer dyshohet të jetë larguar nga Irlanda vetëm pak orë para se të zbulohej krimi. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se udhëtoi me autobus nga Killarney drejt Dublinit rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe më pas mund të ketë marrë një fluturim drejt Stambollit. Policia ka lëshuar alarme në porte dhe aeroporte dhe po bashkëpunon me partnerë ndërkombëtarë për lokalizimin e tij. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se ai mund të ketë marrë ndihmë nga kontakte në Turqi, Siri dhe Jordani.
Jamey Carney ishte zhvendosur nga shteti i Nju Jorkut në Irlandë në vitin 2021 së bashku me vajzën dhe punonte në një kompani konsulence në sektorin e shëndetësisë. Mediat raportojnë se ajo ishte njohur me Alsaqer rreth një vit e gjysmë më parë gjatë një proteste pro-palestineze. Në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook, Carney shpesh publikonte postime dhe fotografi me mesazhin “Free Palestine”, dhe në disa prej tyre shfaqej bashkë me partnerin e saj.
Familjarët e përshkruajnë Carney si një grua me zemër të madhe dhe të përkushtuar ndaj kauzave humanitare. Fqinjët kanë deklaruar se një natë para zbulimit të trupit kishin dëgjuar një debat të ashpër që vinte nga banesa e saj. Lajmi është përcjellë nga Top Channel.

