Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përpiqet të koordinojë një përgjigje ndërkombëtare ndaj asaj që e quan ringjallje të ekstremizmit të majtë me lidhje ndërkombëtare. Në mesin e qershorit, Departamenti i Shtetit dërgoi një kabllogram në më shumë se 20 ambasada amerikane, përfshirë atë në Tiranë, duke kërkuar informacion mbi grupet ekstremiste të krahut të majtë. Për këtë çështje, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka ftuar ministra të lartë nga mbi 60 vende për një takim që do të zhvillohet javën e ardhshme në Uashington.
Sipas raportit të The Washington Post, konferenca do të fokusohet te ajo që administrata përshkruan si “ringjallja e terrorizmit transnacional të ekstremit të majtë”. Iniciativa ka shkaktuar reagime të ndryshme brenda administratës dhe te disa aleatë evropianë, të cilët nuk e shohin fenomenin si kërcënim me prioritet të lartë. Disa zyrtarë amerikanë shprehin shqetësim se administrata mund të përdorë instrumente të luftës kundër terrorizmit për të goditur aktivistë amerikanë të lidhur me lëvizjen antifashiste, të njohur si Antifa.
Burimet thonë se koordinatori për luftën kundër terrorizmit, Sebastian Gorka, ka diskutuar mundësinë e klasifikimit të Antifës si organizatë terroriste e huaj. Expertët vënë në dukje se një vendim i tillë do t’u jepte autoriteteve kompetenca hetimore më të gjera, përfshirë përdorimin e mjeteve të avancuara të mbikëqyrjes. Juristë dhe ish-zyrtarë të Departamentit të Shtetit theksojnë se një klasifikim i tillë do të ishte i vështirë ligjërisht, sepse ligji amerikan kërkon që një organizatë të ketë bazë jashtë SHBA-së për t’u shpallur organizatë terroriste e huaj, ndërsa Antifa konsiderohet rrjet i decentralizuar me prani kryesisht brenda territorit amerikan.
Kabllogrami i dërguar në mes të qershorit u shpërnda te ambasada nga Argjentina dhe Meksika deri te Italia dhe Shqipëria. Disa ambasada kanë kthyer përgjigje, por asnjë nuk ka shprehur pajtim me vlerësimin e administratës mbi nivelin e kërcënimit. Ftesa për samitin i është dërguar shumicës së vendeve evropiane, disa shteteve të Amerikës Latine dhe vendeve aziatike si India, Indonezia dhe Singapori. Disa diplomatë evropianë u shprehën të habitur, duke thënë se në vendet e tyre ekstremizmi i majtë nuk konsiderohet kërcënim kryesor; disa ministra mund të mos marrin pjesë për shkak të agjendave të ngarkuara. Takimi i 16 korrikut pritet të tregojë ndryshimin e qasjes së administratës ndaj çështjeve të sigurisë dhe terrorizmit.

