Pinoku feston 145 vjetorin e botimit të tij nga Carlo Collodi, dhe për këtë rast në Qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare ekspozohen disa vepra të rralla. Ndër materialet e paraqitura është edhe botimi i parë në shqip i Pinokut, përkthyer në 1935 nga Cuk Simoni. Aida Baro, përkthyese dhe redaktore letrare, citon nga parathënia e përkthyesit: “Në parathënien që vetë Cuk Simoni ka shkruar, thotë që ‘Pinoku e ka thirrur’. Kur e she veprën në Itali ndien thirrjen e Pinokut dhe do që ta sjellë në shqip. Libri është në gegënisht dhe ka ilustrume të bëra nga Terezina Shiroka.”
Përralla e kukullës prej druri që merr jetë dhe përjeton aventurat e saj në botën e njerëzve është ribotuar disa herë në shqip. Në vitin 1964 vepra u rishkrua në gjuhën letrare dhe në këtë proces u censurua emri i përkthyesit; sipas Baros, “Cuk Simoni dënohet, filloi deklasimi i tij. Iu hoq edhe emri nga të gjitha librat”. Përveç botimeve në shqip, Biblioteka Kombëtare ruan edhe disa vepra origjinale në italisht.
Ekspozita shfaq edhe botime të ndryshme historike të librit: Pinoku u botua në fillim me episode, ku tetë episodet e para dolën në gazetë. Baro shpjegon se Collodi, si disa shkrimtarë të tjerë, shkruante dhe bënte bixhoz për të fituar para, dhe vepra u botua e plotë në 1883. Në koleksionin e bibliotekës, libri më i vjetër i prezantuar është nga viti 1937, ku theksohen veçanërisht ilustrimet “të mrekullueshme”.
Aventurat e Pinokut dhe mesazhet që përcjell vepra kanë bërë që ajo të konsiderohet një klasik i qëndrueshëm, i ribotuar ndër dekada dhe ende i pëlqyer nga brezat e rinj.

