Pas hetimeve dhjetëditore, Shërbimi Antiterror i Greqisë arrestoi tre persona për sulmet e koordinuara me bomba artizanale të gazit që tronditën Selanikun më 1 korrik. Operacioni u zhvillua njëkohësisht në Selanik dhe në Hania të Kretës, ndërsa vijojnë kontrollet në banesa dhe ambiente të tjera.
Nga autoritetet u tha se një 29-vjeçar u arrestua në Selanik dhe një 26-vjeçare në Hania, të dy të njohur më parë për aktivitet në qarqet anarkiste. Personi i tretë dyshohet se i vuri në dispozicion apartamentin që, sipas hetimeve, u përdor si bazë për përgatitjen dhe ekzekutimin e sulmit ndaj banesës së Afroditi Nestorës. Hetimet tregojnë se 26-vjeçarja dhe 29-vjeçari mbërritën në apartament një ditë para sulmit, qëndruan aty deri në momentin kur vendosën mekanizmin shpërthyes dhe, pas shpërthimit, u kthyen për të ndërruar rrobat përpara se të largoheshin.
Policia vlerëson se sulmet janë kryer nga dy grupe të ndryshme dhe autorët e sulmit tjetër mbeten ende të paidentifikuar. Autoritetet shpresojnë se analizimi i telefonave celularë të të arrestuarve do të çojë në identifikimin e pjesëtarëve të grupit të dytë.
Sulmet me tre bomba artizanale gazi kishin në shënjestër banesat e tre drejtuesve lokalë të partisë në pushtet, Demokracia e Re, në Selanik. Sulmi më i rëndë goditi banesën e Afroditi Nestorës: pas shpërthimit të mekanizmit tek automjeti i saj, zjarri i fuqishëm dhe tymi përfshinë të gjithë godinën. Si pasojë humbi jetën nëna e ish-kandidates për deputete të Demokracisë së Re, ndërsa u plagosën edhe katër persona të tjerë. Dy sulmet e tjera synuan banesat e kryetarit të Demokracisë së Re në Selanik, Zisis Ioakeimovits, dhe ish-deputetit Savvas Anastasiadis, duke shkaktuar dëme materiale.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis kishte cilësuar sulmin një akt terrorist dhe premtoi se autorët do të identifikoheshin dhe do të viheshin para drejtësisë.

