Prokuroria e Beratit ka kërkuar masa sigurimi “Arrest në shtëpi” dhe “Detyrim paraqitjeje” për 11 persona nën hetim për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”. Hetimet, të zhvilluara për gjashtë muaj dhe të shtrira në pesë bashki të qarkut, zbuluan se në gjashtë subjekte tregtare administratori dhe punonjësit kishin kryer aktivitet këmbimi valutor pa lejen e organeve kompetente.
Nga hetimet rezulton se shtetasit S.T., H.S., M.M., S.H., S.C., A.H., A.S., O.V., Z.M., E.T. dhe K.P. ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm. Këta shtetas kishin biznese të regjistruara me fushë veprimtarie “Agjent për kryerjen e veprimtarisë financiare për transfertat e parave në emër dhe për llogari të një subjekti financiar, jo bankë”. Më konkretisht, shërbimet Unionnet dhe Western Union, me vendodhje në Berat e Kuçovë, rezultuan jo në listën e zyrave të këmbimit valutor të licencuara dhe duke funksionuar pa licencë të lëshuar nga Banka e Shqipërisë.
Me autorizim të organit të akuzës janë kryer veprime stimuluese dhe regjistrime të fshehta fotografike, filmike ose me video, ndërsa janë realizuar 28 veprime këmbimi të vlerave monetare në subjektet e dyshuara, duke vërtetuar kryerjen e aktivitetit pa licencë. Për procedimin penale Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, kërkoi masat e sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Arrest në shtëpi”.
Gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të këtij procedimi u gjetën dhe sekuestruan shuma të konsiderueshme parash: 88 milionë lekë, 118 mijë euro, 7,390 dollarë dhe 665 paund.

