Kombëtarja franceze e futbollit ka përdorur për udhëtimet e saj një kompani charter avionësh, Global Crossing Airlines (GlobalX), që është përfshirë në programin e deportimeve masive të administratës Trump në SHBA, sipas një investigimi të The Guardian. Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve dhe pamjet në rrjetet sociale tregojnë se ekipi i Francës përdori GlobalX për të paktën tre fluturime të brendshme gjatë lëvizjeve mes ndeshjeve të Kupës së Botës dhe bazës stërvitore në Boston.
Hetimet zbulojnë se e njëjta kompani ka operuar më shumë se gjysmën e fluturimeve të largimit të emigrantëve të kryera nga agjencia amerikane e emigracionit dhe doganave (ICE) gjatë viteve 2024 dhe 2025. Një hetim paraprak i The Guardian mbi programin e deportimeve zbuloi se GlobalX ka transportuar mijëra persona të ndaluar brenda SHBA-së dhe drejt vendeve të tjera, shpesh pa njoftim paraprak dhe larg familjeve, komuniteteve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë. Disa të deportuar kanë raportuar se nuk u ishte bërë e ditur destinacioni, ndërsa të tjerë thonë se janë transportuar me pranga në duar dhe këmbë. Disa fluturime kanë pasur destinacion edhe burgun Cecot në El Salvador.
Sipas ICE Flight Monitor, avioni që përdori kombëtarja franceze pas ndeshjes ndaj Paraguajit ka kryer 44 fluturime të lidhura me deportimet vetëm gjatë këtij viti dhe rreth 950 që nga 2022. Avioni i përdorur më 4 korrik ishte përdorur pak ditë më parë për transferimin e të ndaluarve nga një qendër paraburgimi në Arizona drejt Luizianës. “Është e zakonshme që disa kompani ajrore të alternojnë fluturimet për ICE me fluturime private charter për subjekte të tjera, përfshirë ekipe sportive, brenda së njëjtës javë ose edhe në të njëjtën ditë”, tha Sierra Randolph, menaxhere e të dhënave në ICE Flight Monitor.
Hetimi nisi pasi një video në Instagramin zyrtar të kombëtares franceze tregoi lojtarët duke hipur në avion, ku dukej logoja e GlobalX mbi ndarjen sipër sediljeve. Analiza në Flightradar24 konfirmoi nisjen e një Airbusi nga Filadelfia drejt Boston Logan më 5 korrik; ekspertët identifikuan avionin si të përdorur më parë në fluturime të lidhura me zbatimin e ligjit të emigracionit. Mediat britanike raportojnë se edhe kombëtaret e Anglisë dhe Iranit përdorën shërbimet e GlobalX gjatë turneut. Çështja ka marrë vëmendje edhe për shkak të qëndrimeve politike të disa futbollistëve francezë, veçanërisht kapitenit Kylian Mbappé, i cili ka kritikuar partitë e ekstremit të djathtë, duke e quajtur rezultatin e National Rally në 2024 “katastrofike”.

