Manchester United ka arritur marrëveshje me Chelsean për transferimin e mesfushorit brazilian Andrey Santos në një operacion me vlerë totale 50 milionë paund. Sipas marrëveshjes, “Djajtë e Kuq” do të paguajnë fillimisht 48 milionë paund, ndërsa 2 milionë të tjera janë të lidhura me bonuse të realizueshme. Chelsea ka siguruar gjithashtu një klauzolë prej 10 për qind nga shitja e ardhshme e lojtarit. Negociatat përshpejtuan gjatë orëve të fundit pasi Manchester United shfaqi interes të qartë për 21-vjeçarin gjatë fundjavës, dhe Santos ka marrë lejen për të kryer kontrollet mjekësore përpara zyrtarizimit të transferimit.
Përforcimi vjen ndërsa drejtuesit e United kishin bërë të mesfushën prioritet në merkaton e verës, pas largimit të Casemiros me përfundimin e kontratës dhe dëmtimit serioz të Manuel Ugarte, i cili pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar të gjurit. Këto largime dhe dëmtimi lanë skuadrën me boshllëqe të dukshme në repartin e mesfushës, duke shtuar nevojën për rinovim të menjëhershëm.
Para arritjes së marrëveshjes për Santos, Manchester United kishte tentuar të siguronte Elliot Anderson nga Nottingham Forest, por kërkesa e klubit për mbi 110 milionë paund u konsiderua e papërballueshme. Si alternativë u mendua Mateus Fernandes i West Ham, por mesfushori zgjodhi të bashkohej me Tottenhamin, pasi klubi londinez ofroi 85 milionë paund të garantuara.
Me Kobbie Mainoo të angazhuar në Kupën e Botës me përfaqësuesen e Anglisë, trajneri Michael Carrick rrezikonte që fazën përgatitore ta nisë me Mason Mount si mesfushorin e vetëm me eksperiencë të plotë në dispozicion. Ndeshja e parë miqësore e verës për Manchester United është planifikuar më 18 korrik ndaj Wrexhamit në Helsinki.
Ndërkohë, lëvizja e Andrey Santos pritet ta shënojë largimin e tretë të rëndësishëm nga Chelsea gjatë kësaj vere, pas transferimeve të Marc Cucurellas te Real Madridi dhe Tyrique George te Evertoni.

