Egnatia arriti një barazim 1-1 në transfertë ndaj Petrokubit në ndeshjen e parë të raundit të parë eliminator të Champions League, në stadiumin “Zimbru”. Kampionët e Shqipërisë do të kërkojnë kualifikimin në ndeshjen e kthimit që do të luhet në Rrogozhinë.
Takimi nisi në disavantazh për skuadrën rrogozhinase: vetëm pak sekonda pas fillimit, një gabim në mbrojtje dha mundësinë Popeskut të shfrytëzojë një pasim të gabuar të Aleksit drejt portierit Dajsinani, duke dërguar topin në rrjetë dhe kaluar Petrokubin në avantazh. Pas këtij goli, Egnatia reagoi dhe kërkoi barazimin, duke krijuar disa tentativa të rrezikshme përpara vijës së portës.
Barazimi erdhi në minutën e 35-të, pas një kombinimi mes Haimes dhe Kryeziut, të cilin e finalizoi Kryeziu me një goditje të saktë që vendosi shifrat 1-1. Në fundin e pjesës së parë erdhi një zhvillim vendimtar: kapiteni Aleksi u ndëshkua fillimisht me karton të verdhë për një ndërhyrje në mesfushë, por pas konsultimit me VAR-in gjyqtari ndryshoi vendimin dhe i tregoi kartonin e kuq, duke lënë Egnatinë me një lojtar më pak për pjesën e dytë.
Pjesa e dytë u karakterizua nga presioni i shtuar i Petrokubit, që krijoi disa raste të rrezikshme për të provuar të rikthente avantazhin. Portieri i Egnatias, Dajsinani, luajti një rol kyç duke bërë pritje të rëndësishme dhe shpëtuar disa herë portën e skuadrës së tij. Edhe Egnatia pati mundësi për të kaluar sërish në avantazh, por rastet e krijuara nuk u konkretizuan në gol.
Ndeshja përfundoi 1-1, një rezultat që lë të hapur kualifikimin për raundin e dytë dhe që Egnatia do të përpiqet ta zhbllokojë në sfidën e kthimit në Rrogozhinë për të siguruar kalimin në raundin tjetër të eliminatoreve. Rezultatet dhe golat: Petrokub-Egnatia 1-1, 1′ Popesku / 35′ Kryeziu.

