Dita e fundit e samitit të NATO-s në Ankara, më 8 korrik, nisi e tensionuar pas rifillimit nga SHBA i sulmeve ndaj Iranit dhe akuzave të presidentit Donald Trump ndaj aleatëve evropianë për mungesë mbështetjeje. Para samitit Trump kritkoi se disa vende kishin vonuar ose penguar përdorimin e bazave të tyre për avionët amerikanë, e quajti regjimin iranian “gënjeshtar” dhe “llum” dhe tha se marrëveshja me Iranin “ka marrë fund”. Ai gjithashtu sulmoi publikisht Spanjën, duke lënë të kuptohet për mundësi embargi tregtare, dhe riafirmoi interesin për territorin danez të Grenlandës.
Brenda sallës atmosfera ndryshoi: diplomatët thanë se Trump ishte më diplomatik dhe nuk përsëriti para 31 liderëve deklaratat rreptësuese për Spanjën, Grenlandën apo Iranin. Pas takimit, Trump dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaruan unitet dhe sukses të samitit. Deklarata përfundimtare e miratuar nga të gjitha vendet thekson se “Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore” dhe i kërkon Teheranit të respektojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Rutte përmendi se forcat amerikane kanë realizuar mbi 5,000 fluturime ushtarake nga bazat ajrore në Evropë.
Një tjetër çështje kryesore ishte niveli i shpenzimeve të vendeve evropiane dhe Kanadasë për mbrojtjen. NATO-ja njoftoi se 31 aleatët e tjerë së bashku rritën shpenzimet për mbrojtje për 139 miliardë dollarë gjatë vitit të fundit, rritje që Rutte ia atribuoi edhe presionit të Uashingtonit.
Për Ukrainën, samiti shënoi ndryshim të qartë: Volodymyr Zelensky u ftua dhe deklarata përfundimtare thekson se “Ukraina kontribuon në sigurinë transatlantike”. Aleatët zotuan 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për vitin 2026 dhe të paktën të njëjtin nivel për 2027, megjithëse pjesë e rëndësishme e shumës nuk përbëhet nga fonde të reja. SHBA nuk do të kontribuojë financiarisht në këtë paketë, por mund t’i lejojë Ukrainës prodhimin e raketave Patriot; Trump tha se do t’i tregojnë Ukrainës si t’i prodhojë ato. Trump dhe Zelensky shfaqën një marrëdhënie dukshëm më të ngrohtë, me premtime bashkëpunimi dhe komente pozitive, edhe pse Trump bëri edhe vlerësime krahasuese për Putinin.
Samiti i ardhshëm u konfirmua se do të mbahet në Shqipëri, por data mbetet e paqartë për shkak të shqetësimeve mbi nivelin e shpenzimeve të mbrojtjes të Shqipërisë dhe debatit për rikthimin në ritmin dyporësh të samiteve; mund të zhvillohet verën ose vjeshtën e 2027-s, ose të shtyhet për 2028.

