Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, zhvilloi paraditen e së martës një takim me drejtuesit dhe inspektorët e institucioneve të inspektimit në qarkun e Fierit. Gjatë deklaratës për mediat ai theksoi se, në kulmin e sezonit turistik, siguria ushqimore do të jetë një nga prioritetet kryesore të punës së inspektorateve.
Sula vuri në dukje se Fieri është një nga qarqet më të rëndësishme të vendit për prodhimin dhe përpunimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij. Për këtë arsye, kontrolli do të intensifikohet në stabilimentet e përpunimit dhe te subjektet që tregtojnë produkte ushqimore, me synim garantimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë për konsumatorët. Rritja e kontrolleve konsiderohet e domosdoshme veçanërisht në periudhën kur qarku pret një numër të lartë turistësh që vizitojnë destinacione si Apolonia, Bylisi dhe Ardenica.
Përveç inspektimeve në zinxhirin e përpunimit dhe tregtimit të ushqimit, Sula njoftoi se kontrolli do të përqendrohet edhe te subjektet me ndikim në mjedis. Veçanërisht në fokus do të jenë aktorët e industrisë së naftës dhe përdorimi i pesticideve në sektorin bujqësor, të cilët u përmendën si problematika që kërkojnë vëmendje të shtuar në qarkun e Fierit. Synimi i inspektimeve është të përcaktojnë respektimin e normave mjedisore dhe përdorimin e duhur të pesticideve, për të minimizuar ndikimet negative mbi mjedisin dhe shëndetin e konsumatorëve.
Në fund të fjalës së tij, Kryeinspektori u ndal te reforma në sistemin e inspektimit, duke bërë të ditur se është në proces riorganizimi i inspektorateve. Sipas tij, struktura e re synon bashkimin e institucioneve me fusha të përafërta përgjegjësie, për të shmangur mbivendosjet e kompetencave dhe për të rritur efikasitetin e kontrolleve në terren.

