Gjykata Supreme e Kosovës ka rrëzuar të pesë ankesat lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, duke i hapur rrugë certifikimit të rezultatit dhe formimit të institucioneve. Ankesa e Listës Serbe, e cila pretendonte se Nenad Rashiqi kishte fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës me votat e shqiptarëve, u cilësua si e pabazuar. Supremja vendosi se Lista Serbe “nuk ka mundur të vërtetoj se votat për komunitetin Serb janë të manipuluara dhe të orkestruara, por se theksimet e saj në ankesë janë vetëm deklarime dhe të pa argumentuara”.
Gjykata rrëzoi gjithashtu dy ankesat e partisë Nova Demokratsa Stranka, me të cilat pretendoheshin manipulime me votat e komunitetit boshnjak. Po ashtu u refuzuan dy ankesat e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut, të cilët kërkonin rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të kësaj partie me arsyetimin për manipulim.
Me këto vendime, Supremja i hapi rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit. Komisioni pritet të mbajë mbledhjen e radhës të mërkurën, më 8 korrik, ku do ta certifikojë zyrtarisht rezultatin. Pas certifikimit, brenda rreth një muaji duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës, ndërsa më pas do të vazhdohet me proceset e formimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit, sipas procedurave përkatëse.
Sipas rezultatit zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosja është partia e parë me 53 mandate, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 dhe Aleanca me 7 mandate. Vendimet e Gjykatës Supreme për hedhjen poshtë të ankesave dhe hapat e mëtejshëm drejt certifikimit dhe konstituimit të institucioneve shënojnë fazën e fundit të verifikimit të rezultateve për zgjedhjet e 7 qershorit.

