SPAK ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë një procedim penal ndaj katër personave, të akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale dhe për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal. Të pandehurit janë Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole, Alvaro Romillo Castillo dhe Doris Pere. Sipas Prokurorisë, tre prej tyre akuzohen për pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa Doris Pere për pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim.
Hetimet zbuluan se të pandehurit krijuan dhe përdorën në Shqipëri tre shoqëri tregtare të regjistruara në qershor 2024 me kapital minimal dhe të njëjtën adresë, pa aktivitet ekonomik real: “Wingwort” sh.p.k., “Wortnova” sh.p.k. dhe “Wortend” sh.p.k. SPAK pretendon se këto kompani u përdorën për futjen në qarkullimin ekonomik formal të fondeve me origjinë të dyshuar kriminale. Hetimet evidentuan transaksione bankare dhe tatimore të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion ekonomik mbështetës dhe transferta ndërkombëtare me subjekte të huaja.
Veçanërisht në fokus ishte aktiviteti financiar i “Wortend” sh.p.k., që sipas SPAK ka shfaqur qarkullime të larta financiare të papërputhshme me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet reale ekonomike. Hetuesit konstatuan kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj subjekteve të huaja pa dokumentacion mbështetës, si dhe blerje pasurish të paluajtshme dhe automjetesh me vlerë të konsiderueshme.
Sipas akuzës, një pjesë e fondeve është përdorur për blerjen e dy pasurive në zonën e Dhërmiut me sipërfaqe totale 23.16 hektarë dhe vlerë të deklaruar 1.6 milionë euro; ekspertiza ka treguar se vlera reale e tregut në momentin e blerjes ishte më e lartë se vlera e deklaruar në kontrata.
Nga analiza e provave SPAK pretendon se Domingo Romillo Iriarte ka pasur rol drejtues në krijimin dhe funksionimin e skemës, duke administruar shoqëritë, orientuar lëvizjen e fondeve dhe vendosur për investimet. Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohen se kontribuan nëpërmjet roleve formale në “Wortnova” dhe “Wortend” për t’i dhënë aktivitetit paraqitje të ligjshme dhe për qarkullimin e fondeve. Doris Pere dyshohet të ketë ndihmuar përmes veprimeve administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri, përfshirë përdorimin e adresave të shoqërive dhe kryerjen e pagesave në emër të tyre.
SPAK administron edhe informacion nga bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritetet gjyqësore të Spanjës, ku disa prej të pandehurve rezultojnë nën hetim për mashtrim. Kundrejt pasurive në emër të Domingo Romillo Iriarte, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manole është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”. Prokuroria vlerëson se provat janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjykatë.

