Kanadaja do të porosisë 12 nëndetëse ultramoderne nga kompania gjermane e industrisë së mbrojtjes TKMS, në një marrëveshje ushtarake me vlerë më shumë se dhjetë miliardë euro, sipas raportimeve. Kontrata u bë publike pak para fillimit të samitit të NATO-s në Ankara. TKMS fitoi tenderin duke mposhtur kantierin koreano-jugor Hanwha Ocean, pas një gare që zgjati muaj të tërë.
Kanadaja planifikon të blejë nëndetëse të tipit 212 CD, të njëjtat që janë porositur nga marinës gjermane dhe norvegjeze. Këto nëndetëse janë të vështira për t’u zbuluar dhe, falë baterive moderne litium-jon, mund të operojnë autonomisht dhe në heshtje për javë të tëra. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një vizite në Kanada i promovoi ato, duke deklaruar se nuk ekziston asnjë nëndetëse konvencionale e krahasueshme dhe se “së bashku mund të ndërtojmë flotën më të madhe dhe më moderne të nëndetëseve konvencionale në botë.”
Qeveria gjermane shprehu shpresën që Kanadaja do të zgjidhte TKMS-në; zyrtarë thanë se projekti ka një dimension transatlantik dhe se kancelari Friedrich Merz kishte investuar shumë punë politike për realizimin e tij. Drejtori ekzekutiv i TKMS, Oliver Burkhard, njoftoi se kishte ofruar një paketë të gjerë industriale për të siguruar kontratën, që përfshinte angazhime të mundshme investimi në minerale të rralla, industrinë minerare, inteligjencën artificiale dhe prodhimin e baterive për industrinë automobilistike. Burkhard e përshkroi ofertën si “kontratën më të madhe që është dhënë ndonjëherë në botën e nëndetëseve konvencionale te një partner i NATO-s.”
Marrëveshja përforcon bashkëpunimin midis Kanadasë, Gjermanisë dhe Norvegjisë dhe mbetet në përputhje me synimet aleate për sistemet e standardizuara që lehtësojnë bashkëpunimin ushtarak, si shkëmbimi i të dhënave, trajnimi i ekuipazheve dhe mirëmbajtja teknike. Deri tani, Gjermania dhe Norvegjia kanë vendosur të blejnë nga gjashtë nëndetëse secila; porosia e Kanadasë dyfishon prodhimin total. Aksionet e TKMS u rritën përkohësisht deri në 11 për qind.
Kontrata pritet të sjellë pune për kantierin në Wismar, Mecklenburg-Vorpommern, të cilin TKMS e mori në pronësi në mes të vitit 2022 dhe e orientoi drejt ndërtimit të anijeve ushtarake. Është ngritur një linjë prodhimi për seksionet e trupit të nëndetëseve dhe pritet që të gjitha objektet prodhuese të TKMS të jenë të angazhuara për shumë vite në vijim.

