Valët ekstreme të të nxehtit që goditën Evropën dhe Mbretërinë e Bashkuar gjatë majit dhe qershorit po interpretohen nga shkencëtarët si një sinjal i ndikimit të ndryshimeve klimatike. Sipas një analize të BBC, temperaturat rekord të regjistruara këtë vit tregojnë se kontinenti po hyn në një periudhë me vera gjithnjë e më të nxehta. Gjatë qershorit, shumë shtete evropiane thyen rekorde mujorë të temperaturave, disa vende regjistruan mbi 40°C, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar u arrit temperatura 37.7°C, duke thyer rekorde që kishin qëndruar për dekada.
Ekspertët lidhin rritjen e frekuencës, intensitetit dhe kohëzgjatjes së valëve të të nxehtit me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti i njeriut. Përveç ngritjes së temperaturave ditore, ata vënë në dukje edhe ngrohjen e netëve, që pakëson mundësinë e rikuperimit të organizmit nga ekspozimi i gjatë ndaj nxehtësisë. Kjo dyfishon efektet negative të periudhave të nxehta mbi shëndetin publik dhe sistemet natyrore.
Sipas shkencëtarëve, Evropa po ngrohet më shpejt se pjesë të tjera të botës. Faktorët që po kontribuojnë përfshijnë shkrirjen e akullit dhe borës, uljen e ndotjes me grimca në atmosferë dhe rritjen e temperaturës së deteve. Uji i ngrohtë i deteve rreth Evropës pritet të ndikojë në forcimin e valëve të ardhshme të të nxehtit, pasi ruan nxehtësinë më gjatë dhe pakëson efektin ftohës të erërave detare.
Shkencëtarët paralajmërojnë se valët e të nxehtit do të bëhen edhe më të forta nëse emetimet globale të gazeve serrë nuk reduktohen. Ata saktësojnë se nuk është e domosdoshme që çdo verë të jetë më e nxehtë se e mëparshmja, por tendenca afatgjatë është e qartë: temperaturat mesatare në Evropë pritet të rriten vazhdimisht nëse nuk merren masa për të kufizuar emetimet.

