Një grup bisedash në WhatsApp me emrin “Krijimi i Kuvendit Kombëtar Qytetar” publikoi një dokument që prezanton nismën për krijimin e një strukture të re të quajtur “Kuvendi Kombëtar Qytetar”, të cilën autorët e lidhin me protestat kombëtare të zhvilluara në qershor 2026. Sipas dokumentit, struktura synon të përfaqësojë dhe të mbrojë vullnetin e qytetarëve dhe të jetë një mekanizëm për t’u siguruar që kërkesat e shprehura gjatë protestave të respektohen dhe zbatohen.
Platforma parashtron ngritjen e tre organeve: “Kuvendit Kombëtar Qytetar”, “Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit Kombëtar Qytetar” dhe “Mbledhjes së Përgjithshme të Popullit Shqiptar”. Këto organe, sipas dokumentit, do të kenë për qëllim mbikëqyrjen e institucioneve shtetërore dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Përshkrimi i Kuvendit thekson se ai do të përbëhet nga persona të konsideruar aktivë në jetën publike, me kontribut qytetar dhe që gjatë viteve kanë mbajtur qëndrim kritik ndaj sistemit politik.
Platforma parashikon dy format organizimi të Kuvendit: njëri me 150 anëtarë dhe një variant i zgjeruar me 300 anëtarë, ku do të përfshihen edhe përfaqësues nga diaspora dhe trojet shqiptare. Dokumenti përcakton një sërë kriteresh për anëtarësim, përfshirë qëndrime patriotike, mbështetjen për konceptin e “Shqipërisë Etnike” dhe detyrimin për respektimin e vendimeve të Kuvendit, edhe në rast se një anëtar ka votuar kundër tyre.
Përveç organizimit dhe kriterieve, platforma përmban edhe kërkesa dhe qëndrime politike të drejtpërdrejta. Mes tyre përfshihet kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndjekjen penale të tij, si dhe ndjekja penale e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Dokumenti parashikon gjithashtu se kjo strukturë do të propozojë emrat e një qeverie teknike tranzitore në rast të largimit të qeverisë aktuale.

