Avokati i njërit prej të arrestuarve gjatë protestave deklaron se klienti i tij është dhunuar nga policët në qeli gjatë mbrëmjes së kaluar, ndërsa po kalonte një krizë epileptike. Sipas avokatit, që nga momenti i shoqërimit i janë kapur tre herë krizat e sëmundjes së epilepsisë dhe “mbrëmjen e djeshme, kur e kanë kapur krizat epileptike, ai nuk është i vetëdijshëm në ato momente; nga ana e policisë së shtetit, jo vetëm që nuk është përkujdesur që ai të kalonte sa më lehtë krizës, por është dhunuar. Ai është dhunuar, më tregoi edhe provat”, tha avokati i të arrestuarit.
Menjëherë pas deklaratës ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i cili njoftoi se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimet për të vërtetuar pretendimet. Lamallari shkruan se ka kërkuar menjëherë informacion nga Policia e Shtetit mbi pretendimet, duke u nisur edhe nga një video të bashkëlidhur publikisht. Policia e Shtetit, sipas ministrit, e ka informuar se pretendimet janë “totalisht të pabaza dhe të pavërteta.”
Ministri deklaroi gjithashtu se AMP-ja ka nisur menjëherë administrimin e të gjithë informacionit të nevojshëm për verifikim. Ai thekson se institucionit të Avokatit të Popullit, i cili sipas tij ka vepruar kryesisht pavarësisht veprimeve të Policisë së Shtetit duke vizituar të ndaluarit për akte dhune, nuk i ka shtruar asnjë problem të kësaj natyre lidhur me rastin.
Lamallari paralajmëroi se, nëse AMP-ja do të dalë në të njëjtat konkluzione me Policinë e Shtetit, asaj i lind e drejta dhe detyrimi për të referuar në prokurori deklaruesin sipas përcaktimeve ligjore në fuqi lidhur me “përhapjen e qëllimshme të thënieve që nxisin urrejtje”. Po ashtu, ai shtoi se mund të ketë referim në Dhomën Kombëtare të Avokatisë, ku buron licenca e avokatit, në rast se do të konstatohet papërgjegjshmëri etiko-profesionale nga ana e tij.
Në materialin origjinal është bashkëngjitur edhe një video nga Facebook. Burimi i lajmit: Top Channel.

