Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, mbajti një fjalim në 250-vjetorin e SHBA-së, ku vuri theksin tek historia e emigrantëve dhe roli i tyre në ndërtimin e qytetit, duke krijuar një kontrast të qartë me retorikën e presidentit Donald Trump dhe politikave të tij të ashpra ndaj emigracionit. Nga Bashkia e Nju Jorkut, pranë tryezës që dikur i përkiste George Washington, Mamdani, i rrethuar nga qytetarë të natyralizuar, kujtoi valët e emigrantëve – irlandezë, kinezë, hebrenj, italianë, sirianë e të tjerë – që, pavarësisht diskriminimit dhe ligjeve kufizuese, ndërtuan jetën e tyre në Nju Jork dhe kontribuan në zhvillimin e qytetit.
Ai theksoi se ideali amerikan i jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë duhet të vërë për çdo brez dhe çdo qytetar, jo të mbetet vetëm në të shkuarën. Duke iu referuar vendimit të fundit të Gjykatës Supreme që bllokoi përpjekjet e Trump për të kufizuar të drejtën e shtetësisë sipas lindjes, Mamdani argumentoi se Amerika është ndërtuar mbi përfshirjen, jo përjashtimin. Në fjalimin e tij përfshihej edhe një apel i prerë: “Pavarësisht ligjeve të miratuara nga qeveria federale për t’u ndaluar hyrjen dhe vështirësive të tjera, emigrantët krijuan jetën e tyre këtu në qytetin e Nju Jorkut dhe ndihmuan në formësimin e tij. Patriotizmi nuk do të thotë të shtiresh sikur vendi ynë është i përsosur. Patriotizëm është çdo akt i drejtë kundërshtimi. Pikërisht sepse e duam këtë vend, nuk do ta braktisim.”
Mamdani ndau edhe historinë personale: i lindur në Ugandë, ai u transferua në Nju Jork në moshën shtatë vjeçare dhe u bë shtetas amerikan në vitin 2018. Ai kujtoi se për brezat e emigrantëve, pamja e parë e Amerikës ishte Statuja e Lirisë dhe Nju Jorku si simbol shprese dhe mirëseardhjeje. Kryebashkiaku kritkoi vizionin e atyre që e shohin Amerikën si vend vetëm për disa, “me theksin e duhur” ose “ngjyrën e duhur të lëkurës”, dhe paralajmëroi se ndarja dhe përjashtimi janë mjete politike për fitim pushteti dhe pasurie. Ai bëri thirrje për unitet dhe rezistencë ndaj politikave përçarëse. Fjalimin e tij e ndoqi më vonë ai i Donald Trump, i cili në Mount Rushmore e përshkroi SHBA-në si vendin më të fuqishëm dhe denoncoi komunizmin si rrezik.

