Miliona qytetarë në Bregun Lindor të SHBA përballen me temperatura rekord dhe kushte të rrezikshme atmosferike ndërsa vendi hyn në fundjavën e festimeve të 4 Korrikut. Autoritetet paralajmërojnë se vala ekstreme e të nxehtit mund të ndikojë në aktivitetet publike dhe të rrisë rrezikun për shëndetin e qytetarëve. Temperaturat pritet të mbeten shumë të larta edhe gjatë së premtes, duke shënuar periudhën më të nxehtë të vitit deri më tani; fenomeni prek rreth 25 milionë banorë në pjesën qendrore dhe lindore të vendit, dhe shoqërohet me lagështi të lartë.
Në Nju Jork temperatura arriti në 38 gradë Celsius, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2012, ndërsa Filadelfia shënoi 39 gradë Celsius, temperatura më e lartë që nga viti 2011. Në Uashington parashikohet që qyteti të përjetojë disa ditë radhazi me temperatura shumë të larta, një situatë e rrallë në historinë meteorologjike të kryeqytetit. Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cilësoi kushtet si “jashtëzakonisht të rrezikshme”, duke bërë thirrje që banorët të tregojnë kujdes dhe të shmangin ekspozimin e panevojshëm në diell.
Pavarësisht temperaturave të larta, Presidenti Donald Trump pritet të mbajë një fjalim në ambient të hapur gjatë festimeve të 4 Korrikut, në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara. Vapa pritet të ndikojë edhe në zhvillimin e disa ndeshjeve të Kupës së Botës që do të luhen në ambiente të hapura.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëron se pas valës së të nxehtit, disa rajone të Midwest-it dhe zonës së Liqeneve të Mëdha mund të goditen nga stuhi të forta, të shoqëruara me breshër, erëra të fuqishme, përmbytje të menjëhershme dhe tornado. Edhe Kanadaja po përballet me temperatura të larta; në provincën e Kebekut janë në fuqi paralajmërime për vapë ekstreme, ndërsa stuhitë e fundit lanë pa energji elektrike mbi 137 mijë konsumatorë, dhe më shumë se 51 mijë abonentë vazhdonin të ishin pa energji të premten në mëngjes.
Meteorologët dhe studiuesit theksojnë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta, më intensive dhe më afatgjata për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.

