Në Shkodër është finalizuar një operacion policor i koduar “Network”, gjatë të cilit u zbulua një call center i dyshuar për ushtrim të mashtrimit kompjuterik në lagjen “Vasil Shanto”. Operacioni u organizua dhe finalizua nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët përkatës në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si rezultat i hetimeve me metoda proaktive dhe në funksion të një procedimi penal, në drejtim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Gjatë ndërhyrjes u arrestuan në flagrancë katër persona të dyshuar për organizimin dhe drejtimin e veprimtarisë kriminale të mashtrimit kompjuterik në subjektin e hetuar: F. P., 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, i identifikuar si administrator i subjektit; L. M., 43 vjeç; B. N., 41 vjeç; dhe N. B., 42 vjeç, të tre banues në Shkodër. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas organizonin aktivitetin kriminal dhe drejtonin grupet e punonjësve.
Në ambientet e subjektit, uniformat e policisë kapën në flagrancë 61 shtetas që po ushtronin aktivitet, për të cilët nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Gjatë kontrollit të ambienteve u sekuestruan si prova materiale 152 pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë, laptopë dhe pajisje të tjera të përdorura për ushtrimin e veprimtarisë, një shumë parash si dhe materiale të tjera me interes për hetimin.
Materialet procedurale dhe provat e sekuestruara iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme. Njoftimi i policisë sqaron se veprimet u kryen në kuadër të hetimeve që po vijojnë dhe me qëllim zbardhjen e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.

