Gazeta italiane La Repubblica ka publikuar biseda të reja që lidhen me hetimin për një rrjet eskortash në Milano, ku mes personave nën hetim përmendet edhe mbrojtësi i Interit dhe i kombëtares italiane, Alessandro Bastoni. Futbollisti i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat që i janë ngarkuar.
Në materialet e publikuara përmendet emri i Alessio Salamones, i lidhur me agjencinë Ma.De., pronarët e së cilës aktualisht ndodhen në arrest shtëpiak. Sipas raportimit, Salamone i kishte shkruar në mars 2025 një futbollisti të Serie A, të identifikuar me inicialet B.K., i cili nuk figuron nën hetim. Në mesazh ai e pyes: “Po darkon sonte me lopët?”. Futbollisti i përgjigjet: “Po, por ai që dua të milet jam unë”. Në një tjetër shkëmbim mesazhesh të publikuar, lojtari shpreh pëlqimin për një vajzë duke shkruar: “Ajo është shumë e mirë, një bishë”. Salamone i përgjigjet: “Transferim i ri nga merkatoja e janarit”.
Prokuroria e Milanos ka nisur marrjen në pyetje të disa futbollistëve të Serie A në cilësinë e dëshmitarëve në kuadër të hetimeve. Të parët që janë marrë në pyetje nga prokurorja Rosaria Stagnaro dhe zëvendësprokurorja Bruna Alberini, në një kazermë të Gardës së Financës, kanë qenë Daniel Maldini dhe Kevin Bonifazi. Raportohet se sot pritet të dëshmojë edhe Riccardo Calafiori.
Për ditën e premte është planifikuar marrja në pyetje edhe e Alessandro Bastonit. Ai akuzohet nga hetuesit për prostitucion me të mitur; sipas hetimeve, në vitin 2020 Bastoni dyshohet se kishte kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë 17 vjeç e 8 muajshe, e cila dyshohet se kishte marrë përfitime materiale në këmbim. Futbollisti ka mohuar në mënyrë të prerë këto akuza.
Raporti i bisedave dhe rrjedhës së hetimeve është publikuar nga La Repubblica dhe është transmetuar edhe nga Top Channel.

