Një burrë u nxorr gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Venezuelë tetë ditë pas tërmeteve të fuqishme që goditën vendin më 24 qershor. I mbijetuari është identifikuar si Hernan Gil; ai u shpëtua pas një operacioni të ndërlikuar, më shumë se 100 orë pasi ekipet e kërkim-shpëtimit arritën ta lokalizonin nën rreth 140 tonë rrënoja.
Në operacion morën pjesë qindra efektivë nga Venezuela, Kili, Kosta Rika, El Salvadori, Meksika, Portugalia dhe Shtetet e Bashkuara. Një zjarrfikës kilian e përshkroi misionin si “operacionin më kompleks dhe teknikisht më të vështirë” të karrierës së tij. Gjatë përpjekjeve, kanalet e krijuara për të arritur te i mbijetuari u shembën disa herë, duke rrezikuar si ekipet e shpëtimit, ashtu edhe vetë Gilin.
Pasi ekipet arritën kontakt vizual me të përmes një kamere të vogël, i siguruan ujë, maskë mbrojtëse, syze dhe serum. Mjekët deklaruan se ai ishte në gjendje të qëndrueshme dhe, për mrekulli, nuk kishte pësuar lëndime serioze. Anëtarët e ekipit thanë se “Hernán na fliste vazhdimisht, na inkurajonte të vazhdonim dhe madje kërkonte pije me shijet e tij të preferuara”.
Gil ndodhej në një kabinë betoni në bodrumin e parkimit pranë qendrës tregtare Galerias Playa Grande, në qytetin Catia La Mar, kur u goditën dy tërmetet. Autoritetet shpjeguan se struktura e kabinës krijoi një “guaskë” mbrojtëse që i shpëtoi jetën. Gjetja dhe nxjerrja e tij erdhi pas një pune intensive ndërkombëtare dhe përballjeje me shembje të përsëritura gjatë drejtimit të kanaleve për arritjen te vendndodhja e tij.
Bilanci zyrtar i dy tërmeteve ka arritur në rreth 2.300 viktima, ndërsa dhjetëra mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.

