Postime virale në rrjetet sociale pretenduan se autoritetet irakiane sekuestruan 57 milionë dollarë cash, 27 kilogramë ar të pastër dhe të brendshme të veshura me ar gjatë një kontrolli në shtëpinë e deputetes Hind Al-Abbasi. Këto pretendime u shpërndanë gjerësisht në Instagram dhe X, ku operacioni u përshkrua si një nga goditjet më të mëdha kundër korrupsionit në historinë e Irakut dhe u shpërndanë fotografi të të brendshmeve të arta. Megjithatë, autoritetet irakiane nuk kanë konfirmuar këto pretendime.
Raportimet e besueshme, duke cituar media irakiane dhe Gulf News, tregojnë një histori tjetër: operacioni anti-korrupsion i referohet deputetes Alia Nassif dhe jo Hind Al-Abbasi. Sipas këtyre raportimeve, gjatë kontrollit në banesën e Nassif u sekuestruan mbi 15.5 milionë dollarë dhe një sasi e konsiderueshme ari. Autoritetet arrestuan Alia Nassif dhe djalin e saj, i cili më parë kishte shërbyer si shef kabineti i ish-kryeministrit Mohammed Shia’ Al Sudani.
Hind Al-Abbasi, ndonëse rezulton e arrestuar në kuadër të hetimeve për korrupsion, nuk është konfirmuar zyrtarisht se në banesën e saj janë gjetur 57 milionë dollarë, 27 kilogramë ar apo të brendshme të veshura me ar. Postime dhe disa llogari në rrjetet sociale vazhduan të lidhin elemente të ngjashme me emrin e saj, por këto pretendime mbeten të paverifikuara.
Edhe platforma të inteligjencës artificiale, si Grok dhe Gemini, kur janë pyetur për vërtetësinë e lajmit, i referojnë operacionit ndaj Alia Nassif dhe jo Hind Al-Abbasi. Deri më tani, qeveria irakiane nuk ka dhënë konfirmim zyrtar për sekuestrimin e 57 milionë dollarëve, 27 kilogramëve ar apo për ekzistencën e të brendshmeve të veshura me ar, ndaj këto pretendime mbeten të pazgjedhura dhe të paverifikuara. Top Channel.

