Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaron se ka siguruar mbi 1 miliard dollarë të ardhura gjatë vitit 2025, sipas deklaratës financiare të detyrueshme prej 927 faqesh. Sipas raportit, shumica e këtyre të ardhurave vijnë nga aktivitetet e lidhura me kriptovalutat. Trump ka përfituar 635 milionë dollarë nga honoraret e monedhës dixhitale “Trump”, një produkt i lançuar disa ditë para rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se vlera e kësaj monedhe ka rënë që atëherë. Ai gjithashtu deklaron mbi 500 milionë dollarë të ardhura nga World Liberty Financial, një kompani kriptomonedhash e themeluar nga djemtë e tij dhe fëmijët e të dërguarit të posaçëm, Steve Ëitkoff.
Përveç sektorit të kriptovalutave, raporti evidenton miliona të ardhura nga bizneset e pasurive të paluajtshme, klubet e golfit dhe produktet me markën e tij, përfshirë orë, Bibla, parfume dhe artikuj të tjerë të markës Trump. Shtëpia e Bardhë mohoi se presidenti po përfiton nga posti i tij, duke theksuar se bizneset e Trump administrohen nga një fond i menaxhuar nga djemtë e tij dhe se nuk ekziston konflikt interesi.
Megjithatë, ish-këshilltari për etikën në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së George W. Bush, Richard Painter, e konsideroi situatën si një “konflikt të qartë interesi”. Ekspertë të tjerë kanë vënë në dukje se mënyra se si Trump menaxhon pasuritë e tij ndryshon ndjeshëm nga praktikat e presidentëve të mëparshëm amerikanë.
Raporti përfshin edhe të dhëna për Zonjën e Parë, Melania Trump, e cila ka përfituar 10.7 milionë dollarë nga një marrëveshje licencimi për dokumentarin kushtuar jetës së saj dhe 6 milionë dollarë nga shitja e NFT-ve. Vlerësime të jashtme të pasurisë së Trump tregojnë shifra të ndryshme: revista Forbes e vlerëson pasurinë e tij në rreth 6 miliardë dollarë, ndërsa Bloomberg Billionaires Index e llogarit atë në 7.6 miliardë dollarë.

