Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka prezantuar emrat e ministrave të rinj në kuadër të rikonstruimit të qeverisë. Propozimi do t’i dorëzohet Kuvendit deri më 3 korrik për miratim.
Ndryshimet prekin shtatë ministri dhe përfshijnë emërime të reja, lëvizje të ministrave në poste të tjera, krijimin e një ministrie pa portofol për çështjet e komunitetit rom, si edhe shuarjen e resorit për Qeverisje të Mirë. Pavarësisht ndryshimeve, kabineti qeveritar do të vazhdojë të ketë 24 anëtarë, përkatësisht kryeministrin dhe 23 ministra.
Nga radhët e VMRO‑DPMNE-së dhe partnerëve të saj, Sasho Klekovski propozohet ministër i Shëndetësisë. Gjoko Velkovski propozohet të marrë drejtimin e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Ivan Stoilkoviç kalon në krye të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Exhjan Demir propozohet ministër pa portofol, me përgjegjësi për integrimin e komunitetit rom.
Koalicioni shqiptar VLEN pritet të drejtojë tre resore. Jeton Shasivari propozohet ministër i Drejtësisë, ndërsa Sedat Sulejmani propozohet ministër i Kulturës dhe Turizmit. Agon Ferati do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Lëvizja ZNAM forcon rolin e saj në qeveri: Borçe Serafimovski propozohet ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ndërsa Goran Minçev do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Administratës Publike.
Me këtë rikonstruim, resori për Qeverisje të Mirë shfuqizohet dhe kompetencat e tij kalojnë nën Kabinetin e Kryeministrit. Mickoski bëri të ditur gjithashtu se Partia Demokrate e Turqve i bashkohet zyrtarisht koalicionit qeverisës dhe do të përfaqësohet me një ministër pa portofol.

