Ndërsa udhëheqësit e NATO-s përgatiten për samitin e javës së ardhshme në Ankara, planet për zhvillimin e samitit të ardhshëm në Shqipëri janë vënë në dyshim për shkak të rezistencës së administratës Trump dhe pakënaqësisë së disa vendeve anëtare për nivelin e ulët të shpenzimeve të Tiranës për mbrojtjen, thanë për Reuters një diplomat i NATO-s, një zyrtar evropian dhe persona të tjerë të njohur me diskutimet. Projekt-deklarata për samitin e Ankarasë aktualisht nuk përmend zhvillimin e takimit të ardhshëm në Shqipëri, ndonëse një deklaratë e mëparshme e kishte përcaktuar atje.
Vendet evropiane të NATO-s përpiqen t’i tregojnë presidentit amerikan Donald Trump në Ankara se kanë bërë përparim në përmbushjen e angazhimeve për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, për të shmangur përplasje të hapura. Paqartësia mbi samitin në Shqipëri pason raportime se NATO po shqyrton mundësinë e heqjes dorë nga praktika e samiteve vjetore, për të shmangur një përballje të mundshme të tensionuar me Trump në fund të mandatit të tij. Një burim tha se niveli i shpenzimeve të Shqipërisë mund të shkaktonte reagim negativ të Trump nëse samiti mbahej atje në 2027.
Sipas një versioni të fundit të projekt-tekstit, liderët thonë vetëm se presin me padurim takimin e ardhshëm, pa specifikuar kohën apo vendin. “Projektet janë projekte, jo vendime”, tha një zëdhënës i qeverisë shqiptare, duke theksuar se projekt-deklarata është ende në negociata dhe mund të ndryshojë. Shtëpia e Bardhë dhe një zyrtar i NATO-s nuk dhanë koment të menjëhershëm.
Në samitin e Hagues vitin e kaluar, udhëheqësit kishin deklaruar se presin takim në Turqi në 2026, i ndjekur nga një takim në Shqipëri, dhe kishin premtuar brenda një dekade të arrijnë 5% të PBB-së për mbrojtjen (3.5% bazë dhe 1.5% për masa të tjera). Megjithëse shumë vende kanë rritur shpenzimet, disa nuk arrijnë objektivin 2% të PBB-së. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se “kur shikon objektivin prej 2%, pothuajse të gjithë aleatët e kanë arritur atë” dhe se Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia ishin angazhuar të kalonin mbi 2% këtë vit.
Qeveria shqiptare tha se po përfundon masat fiskale për të përafruar shpenzimet për mbrojtjen në 2026 me trajektoren e dakordësuar, dhe se pas miratimit ato do të arrijnë 2.6% të PBB-së (2.2% shpenzime bazë, 0.4% shpenzime të tjera). Një diplomat evropian vlerësoi se Shqipëria mund të përfundojë duke pritur samitin, por shprehu besimin se ai do të mbahet në Shqipëri.

