Një pallat katërkatës u shemb në zonën e Petralonës të Athinës, duke shkaktuar momente paniku për banorët dhe autoritetet lokale. Fillimisht ekzistonte frika se nën rrënoja mund të kishin mbetur të bllokuar persona, por pas operacionit të kërkim-shpëtimit autoritetet konfirmuan se nuk ka të zhdukur dhe as viktima. Në kërkim-nxjerrjen e personave morën pjesë zjarrfikësit, njësitë speciale EMAK dhe qentë e trajnuar për kërkim-shpëtim. Fillimisht u raportua për katër të zhdukur, por më pas të gjithë u lokalizuan; gruaja e fundit për të cilën kishte shqetësim u gjet në qytetin e Nafplios.
Hetimet paraprake tregojnë se rrëzimi ndodhi gjatë punimeve të gërmimit në një parcelë ngjitur, ku po ndërtohet një pallat i ri. Autoritetet po shqyrtojnë nëse gjatë punimeve janë respektuar masat e sigurisë dhe rregullat teknike. Si pjesë e hetimit, policia ka shoqëruar pesë persona, përfshirë pronarët e parcelës, kontraktorin dhe tre inxhinierë. Me urdhër të prokurorit është hapur procedim penal për shkelje të rregullave të ndërtimit dhe të masave të sigurisë.
Përveç ndërtesës së shembur, ekspertët po kontrollojnë edhe pallatin ngjitur, ku në themelet është vërejtur një çarje e madhe. Për shkak të rrezikut të mundshëm, banorët e këtij pallati janë evakuuar përkohësisht dhe do të qëndrojnë larg deri në përfundimin e kontrollit të stabilitetit nga specialistët. Bashkia e Athinës ka njoftuar se do të ofrojë strehim të përkohshëm dhe ndihmë ekonomike për familjet e prekura nga shembja, ndërsa hetimet për sqarimin e shkaqeve të aksidentit vazhdojnë.
Ngjarja ka nxitur ndërhyrje të menjëhershme nga shërbimet e emergjencës dhe masa hetimore nga autoritetet gjyqësore dhe teknike për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të vlerësuar nëse janë ndjekur standardet e sigurisë gjatë punimeve në parcelën ngjitur. Top Channel.

