Kuvendi i Shqipërisë ka përmbyllur seancën plenare të kësaj të marte, duke miratuar një sërë projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura, si dhe disa vendime për ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare. Mes vendimeve të miratuara ishte edhe largimi i deputetes së pavarur Marjana Koçeku nga komisionet ku bënte pjesë, ndërsa deputeti Gjin Gjoni mori një detyrë të re në Kuvend, duke u caktuar anëtar në sekretariatin për Procedurat e Votimit dhe Etikën.
Projektligji “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare, të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, të rregullimeve për shëndetin e mirëqenien e kafshëve, si dhe për shëndetin e bimëve e të produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë” u votua me 74 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025” u miratua me 74 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër. Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2025” miratohet me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër. Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike për vitin 2025” u miratua me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025” u miratua me 73 vota pro, 1 abstenim, 1 kundër. Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionit të ProkurimitPublik për vitin 2025” u miratua me 73 vota pro, 1 abstenim, 1 kundër. Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2025” u miratua me 73 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër.
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për vitin 2025” u miratua me 74 vota pro, 1 abstenim, 0 kundër. Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2025” u miratua me 75 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër.
Deputeti Gjin Gjoni caktohet anëtar në sekretariatin për Procedurat e Votimit dhe Etikën, vendim i miratuar me 73 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër. Largohet si anëtare e Komisionit për Reformën Administrative-Territoriale deputetja Marjana Koçeku dhe deputeti Onid Beleri caktohet si anëtar në këtë komision; vendimi miratohet me 72 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër. Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, Marjana Koçeku largohet nga detyra e sekretares dhe në këtë rol caktohet deputetja Sara Mila; vendimi votohet me 74 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër. Po ashtu, Koçeku largohet si anëtare e këtij komisioni, vendim i miratuar me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër. Marjana Koçeku largohet edhe si anëtare zëvendësuese nga Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën dhe caktohet deputetja Ilva Gjuzi; vendimi votohet me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër. Top Channel.

