Një shpërthim i fuqishëm mbrëmjen e së hënës tronditi Principatën e Monakos, duke lënë tre persona të plagosur dhe duke hapur hetime si për një sulm të mundshëm terrorist. Policia ka nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili dyshohet se është larguar menjëherë pas shpërthimit.
Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ndodhi në hyrje të Fondacionit Cuomo, në lagjen Moulins, dhe dyshohet se u shkaktua nga një bombë e vendosur në katin përdhes të një pallati. Dëshmitarët thanë se pak çaste para shpërthimit një person kishte lënë disa çanta në vendngjarje; hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që të jetë përdorur një mjet shpërthyes i improvizuar. Kamerat e sigurisë dyshohet se kanë kapur një burrë duke lënë një çantë shpine në zonë pak para shpërthimit.
Tre të plagosurit janë anëtarë të së njëjtës familje me shtetësi ukrainase: një burrë dhe një grua rreth moshës 50-60 vjeç, si dhe djali i tyre adoleshent. Dy të rriturit u transportuan në Spitalin Pasteur në Nicë, ndërsa i mituri në Spitalin Pediatrik Lenval; deri tani nuk janë bërë të ditura detaje mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Sipas mediave franceze, objektivi i mundshëm i sulmit ishte biznesmeni ukrainas Vladimir Ermolaev, bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tij; revista Forbes e rendit Ermolaev në vendin e 23-të mes 100 ukrainasve më të pasur. Autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e personit që ishte në shënjestër.
Menjëherë pas shpërthimit, zona u rrethua nga forca të shumta policie dhe zjarrfikëse. Kërkimet janë shtrirë edhe në qytetin fqinj Beausoleil, ku besohet se është arratisur i dyshuari. Në operacion janë përfshirë autoritetet e Monakos dhe forcat e emergjencës nga Franca fqinje.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivin e sulmit dhe për të identifikuar autorin. Fondacioni Cuomo është një organizatë bamirëse që vepron kryesisht në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, me fokus në arsim, zhvillim social dhe mbështetjen e komuniteteve në nevojë.

