Po mbahet në kryeqytet dita e 30-të e protestës qytetare, e shoqëruar me tensione. Konflikti u ndez pasi studentët shpalosën në katin e sipërm të Universitetit Politeknik një banderolë me tekstin: “Ju erdhi fundi dhe Shqipëria nuk është në shitje”. Studentët pretendojnë se më pas ka ndërhyrë policia dhe se forcat e rendit u kanë rrëzuar banderolën.
Pas këtij incidenti, një grup protestuesish që po mbanin fjalime para zyrës së Kryeministrisë shkoi t’u bashkohej studentëve, duke u përplasur me rojet e universitetit dhe duke prishur pajisjet e auditorëve. Protestuesit u grumbulluan si zakonisht në sheshin “Skënderbej”, marshuan përgjatë bulevardit dhe u stacionuan para Kryeministrisë. Gjatë marshimit pranë “Fan Zone” ata i kanë bërë thirrje tifozëve të bashkohen me ta.
Siç raporton gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat, në protestë janë të pranishëm edhe disa eurodeputetë: Tineke Strik, Daniel Freund, Cristina Guarda, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg, të ardhur nga Gjermania, Holanda dhe Italia. Po ashtu, gjatë ditës janë zhvilluar disa takime nga grupe të ndryshme koordinatorësh të protestës, dhe pritet që studentët në ditën e 30-të të dalin me një banderë “surprizë”.
Qytetarët kanë improvizuar edhe një podium para zyrës së Kryeministrit Rama, ku pritet të mbahen fjalimet, si në ditët e tjera të protestës. Ndërkohë, policia ka proceduar penalisht 31 persona pas protestës së djeshme; sipas uniformave blu, të proceduarit akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.

