Mungesa e fuqisë punëtore në qarkun e Fierit po detyron një numër në rritje biznesesh të rekrutojnë punonjës të huaj, duke përfshirë sektorë nga bujqësia dhe ndërtimi te industria përpunuese dhe shërbimet. Kërkesa për krah pune nga jashtë vendit është rritur ndjeshëm gjatë muajve të parë të këtij viti, me 553 kërkesa për Leje Unike të miratuara në qarkun e Fierit gjatë periudhës janar–maj 2026, të aplikuara në portalin e-Albania dhe të trajtuara nga strukturat e punësimit.
Sektoret që shfaqin nevojën më të madhe për punonjës të huaj janë bujqësia dhe agropërpunimi, ndërtimi, industria përpunuese, tregtia dhe shërbimet. Përveç këtyre, një numër i konsiderueshëm shtetasish të huaj janë punësuar edhe në industrinë e hidrokarbureve dhe në sektorin e shëndetësisë. Bizneset raportojnë vështirësi në gjetjen e punonjësve vendas, duke i shtyrë ato drejt tregut të huaj të punës.
Sipas të dhënave, vendet me numrin më të lartë të shtetasve të punësuar në Fier janë Italia, Kosova, Turqia, India, Filipinet dhe Egjipti. Kërkesa më e lartë mbetet për profesionet teknike, për punët sezonale në bujqësi, për industrinë përpunuese dhe për sektorin e shërbimeve, ku mungesa e krahut vendor është më e ndjeshme.
Rritja e numrit të punonjësve të huaj konsiderohet nga bizneset si një zgjidhje praktike për të mbuluar boshllëqet e tregut të punës dhe për të mbajtur aktive sektorët kryesorë të ekonomisë lokale. Ndërsa importi i fuqisë punëtore po rritet, bizneset shpresojnë që ky trend do të ndihmojë në ruajtjen e prodhimit dhe shërbimeve gjatë periudhave me nevojë të shtuar për punëtorë, veçanërisht në sezonet e punëve bujqësore dhe në aktivitetet e industrisë përpunuese.

