Në mesin e valës së të nxehtit ekstrem, në Europë është rindezur debati për ajrin e kondicionuar. Vetëm një në pesë banesa europiane ka ajër të kondicionuar, por temperatura rekord po rrit kërkesën dhe po sjell në një formë të re debat politik mbi zgjidhjen e valëve të të nxehtit. Disa udhëheqës të partive të gjelbra, që fokus kryesor kanë mjedisin, po mbështesin instalimin e sistemeve të ftohjes për institucione publike si shkollat dhe spitalet, ndërsa temperaturat vazhdojnë të arrijnë nivele të reja maksimale.
Kondicionerët mbeten relativisht të rrallë në pjesën më të madhe të kontinentit: vetëm rreth 20% e shtëpive në Evropë i kanë ato. Në Francë shifra është afërsisht 25%, ndërsa në Spanjë, ku temperaturat janë më të larta, shkon në rreth 50%. Pyetja se si duhet t’i përgjigjet Europa valëve në rritje të të nxehtit ka shkaktuar një debat të fortë politik, përfshirë thirrjet për të instaluar ajër të kondicionuar edhe në banesa.
Shumë faktorë shpjegojnë shifrat e ulëta të përhapjes së kondicionerëve: ndërtesat europiane shpesh janë të vjetra, gjë që e bën instalimin më të vështirë dhe më të kushtueshëm, me kosto deri rreth 1,000 euro. Gjithashtu, vende si Britania dhe Franca vendosin kufizime burokratike në instalimin e sistemeve, pjesërisht për të ruajtur pamjen e ndërtesave historike.
Në anën tjetër, shqetësimet mjedisore kanë nxitur kundërshtime ndaj përhapjes së gjerë të ajrit të kondicionuar. Kritikët theksojnë se kondicionerët lëshojnë nxehtësi në mjediset urbane dhe shtimi i konsumit të energjisë elektrike do të rrisë emetimet e gazrave serrë. Aktivistët e klimës argumentojnë se përhapja e gjerë e ajrit të kondicionuar ofron vetëm një zgjidhje afatshkurtër dhe përkeqëson problemin afatgjatë.
Si përgjigje ndaj kritikes për papërgatitje ndaj valës së të nxehtit, Franca shpenzoi 100 milionë euro për instalimin urgjent të ajrit të kondicionuar në spitale. Edhe kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, ka deklaruar se instalimi i ajrit të kondicionuar në shkolla dhe spitale do të bëhej i pashmangshëm.

