Katër turistë polakë u shpëtuan pas një operacioni kërkim‑shpëtimi që zgjati rreth tetë orë në Kanionet e Gjipesë, në Himarë. Sipas Policisë, alarmi u dha mesditën e së dielës, pasi gjatë eksplorimit katër turistët ranë në një greminë dhe njëri prej tyre u lëndua. Për shkak të terrenit të thepisur dhe rrezikut për jetën, kërkimet nisën menjëherë dhe vijuan gjatë orëve të natës me përpjekje intensive për t’i lokalizuar dhe evakuuar.
Në operacion u angazhuan shërbimet e Policisë vendore, forcat DELTA, Policia e Himarës dhe DVP Vlorë, helikopteri i Forcave të Armatosura, alpinistë të zonave të mbrojtura, zjarrfikës dhe një ekip mjekësor. Helikopteri i Forcave të Armatosura nuk mundi të futej në vendin ku ndodheshin turistët, për shkak të natyrës së terrenit, dhe operacioni vazhdoi nga njësitë tokësore, përfshirë zjarrfikësit, alpinistët dhe policinë.
Pas shumë kërkimesh dhe përpjekjesh intensive, turistët u evakuuan dy nga dy, dhe operacioni përfundoi me sukses rreth mesnatës. Turisti i dëmtuar mori menjëherë ndihmën e nevojshme nga ekipi mjekësor dhe u shpall jashtë rrezikut për jetën, ndërsa tre turistët e tjerë u evakuuan në gjendje të mirë shëndetësore.
Në njoftim theksohet se përgjigja ndaj sinjalit për ndihmë ishte e menjëhershme, me angazhim të një game shërbimesh dhe ekipeve të specializuara. Katër turistët polakë falënderuan Policinë dhe të gjitha njësitë e tjera të angazhuara për ndërhyrjen, duke vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e specializuar dhe human që çuan në shpëtimin e tyre.

