Didier Deschamps u bashkua me kombëtaren e Francës të shtunën, pasi mori pjesë në ceremoninë mortore të nënës së tij në vendlindje. Ai do të niset së bashku me delegacionin për në New York, ku të martën Franca do të luajë ndeshjen e 1/16 të finales ndaj Suedisë. Federata Franceze e Futbollit publikoi në Instagram një video me fjalimin e tij, në të cilin trajneri falenderon skuadrën dhe gjithë delegacionin që i qëndruan pranë gjatë ditëve të vështira.
Në fjalimin e mbajtur, Deschamps pranoi dhimbjen, por pohoi se është i përqendruar maksimalisht në fazën e eliminimit të Botërorit. Ai theksoi se lojtarët patën pak më tepër kohë për të qenë me familjet dhe shokët e tyre, diçka që vlerësohet veçanërisht kur ke fëmijë, por edhe kur nuk ke. Deschamps e përshkroi shkëputjen si një gjë të mirë për disa orë, por nënvizoi se tani “ka akoma shumë punë për të bërë”: pjesa e parë e turneut ka përfunduar dhe tani nis pjesa e dytë, me ndryshimin thelbësor që ndeshjet me eliminim direkt bëjnë çdo detaj vendimtar.
Ai paralajmëroi që kjo situatë nuk duhet të shkaktojë tensione, por duhet të ruhet besimi në vetvete për arritjet e deritanishme. Trajneri theksoi se ekipi ka bërë gjëra të shkëlqyera deri tani, por pranoi gjithashtu se ka aspekte për t’u përmirësuar. Sipas tij, ndërsa skuadra ecën përpara është pozitive, kundërshtarët bëhen më të vështirë sa më larg të shkojë ekipi në kompeticion. Ai kërkoi fokus ndaj Suedisë dhe vuri në dukje se koha për t’u përgatitur është e kufizuar: “kemi ende edhe pak kohë për të punuar… Jo shumë”.
Në përmbyllje, Deschamps shprehu falënderimet e tij për atë që lojtarët dhe stafi kanë bërë deri tani dhe ripërsëriti se ka “akoma shumë për të bërë” dhe një objektiv të madh për t’u arritur. Fjalimi i tij, i shpërndarë nga federata, shërbeu për të garantuar se pavarësisht humbjes personale, trajneri dhe stafi janë të përqendruar në sfidën e eliminimit direkt.

