Pyetja “A duhet ta fitosh Kupën e Botës për të fituar Topin e Artë?” është risjellë në qendër të debatit nga France Football, që ka analizuar lidhjen mes suksesit në Botëror dhe çmimit individual më të rëndësishëm në futboll. Analiza nënvizon se çdo Botëror ngjall bindjen se fituesi i Topit të Artë duhet të jetë kampion bote, por statistikat pasqyrojnë një realitet më kompleks.
Që nga viti 1995, kur Topi i Artë u bë global, vetëm disa lojtarë kanë arritur të kombinojnë triumfin në Kupën e Botës me fitimin e Topit të Artë: Zinedine Zidane (1998), Ronaldo (2002) dhe Fabio Cannavaro (2006). Pas këtij “tre suksesi” rradhazi modeli nuk u përsërit vazhdimisht. Në 2010 Lionel Messi mori Topin e Artë megjithëse Spanja fitoi Botërorin, ndërsa në 2014 Cristiano Ronaldo u shpall më i miri kurse Gjermania doli kampione. Në 2018, Luka Modrić fitoi Topin e Artë pas një Botërori të fituar nga Franca.
Rikthimi i përputhjes mes dy trofeve u pa në 2022, kur Lionel Messi fitoi Kupën e Botës me Argjentinën dhe më pas u shpall fitues i Topit të Artë. Sipas analizës, që nga 1995 vetëm 4 nga 7 fituesit e Botërorit kanë marrë edhe Topin e Artë (57%), çka tregon se suksesi në turneun më të madh ndërkombëtar ndihmon por nuk është kusht vendimtar për çmimin individual.
Diskutimi është shtuar edhe për shkak të postimit të fundit të France Football që shfaq Messin me trofeun e Botërorit 2022, dhe për faktin se në Botërorin 2026 ai ka nisur me formë të lartë, duke shënuar 6 gola në 3 ndeshje. Në këtë kontekst, pyetja është nëse argjentinasi është në rrugën drejt Topit të Artë të nëntë, apo nëse gjithçka do të varet nga ecuria e tij në pjesën e mbetur të sezonit dhe nga përfundimi i Botërorit. Postimi në rrjetin social i llogarisë Ballon d’Or përmbledh këtë debat, duke ripyetur në formë të përmbledhur: “Do you have to win the World Cup to win the Ballon d’Or?”

