Kryetari i Gjykatës së Lartë ka shpallur thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë, të gjykatave të apelit dhe të Gjykatës së Lartë. Nevojë për përzgjedhje lind për shkak se më 12 dhjetor 2026 përfundojnë mandatin e plotë pesëvjeçar tre anëtarë të KLGJ-së: një anëtar i zgjedhur nga gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë, një nga gjyqtarët e gjykatave të apelit dhe një nga Gjykata e Lartë.
Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesë me shkrim, drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë, brenda datës 13 korrik 2026. Së bashku me shprehjen e interesit, kandidatët duhet të dorëzojnë një paketë dokumentesh të përcaktuara rregullatore. Dokumentet e kërkuara përfshijnë jetëshkrimin të përditësuar; deklaratat individuale të gjyqtarëve që i mbështesin, të nënshkruara; formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”; dhe një platformë personale që përmban qëllimet dhe objektivat që kandidati propozon të ndjekë nëse zgjidhet.
Kandidatët duhet gjithashtu të dorëzojnë një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të shërbimeve të inteligjencës para datës 2 korrik 1991; dhe një deklaratë të nënshkruar që nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete. Përveç këtyre, kërkohet informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, përkatësisht ata që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit apo janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjekte ekonomike të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj. KLGJ miraton dhe vë në dispozicion formular tip për dhënien e këtij informacioni.
Në paketën e dokumenteve përfshihet edhe lista e personave të lidhur, siç përcaktohet në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.

