Kreu i Partisë Demokratike komentoi thirrjet gjatë protestës ku qytetarët brohorisnin “Rama n’burg, Berisha n’burg”, duke i përshkruar si “slogane dhe klithma mjerane të opozitës së opozitës”. Sipas tij, ato nuk janë britma që dalin nga idealet e shqiptarëve, por “nga grupe të vogla të atyre që janë kundërshtarë të egër të PD-së”.
Ai tha se demokratët e gjithë janë në protestë, “qindra mijëra qytetarë”, dhe vlerësoi se vendimi më i drejtë ishte që ata të mos shkonin me simbole partie por si qytetarë. Për sloganet, theksoi se ka momente që “nuk kanë asnjë lidhje me idealet rinore dhe qytetare” dhe i quajti si përpjekje për të zbutur pozicionin e kryeministrit dhe për të nxitur “një qorrsokak për leverdi të saj politike” duke krahasuar Ramën me Berishën, dy figura që sipas tij janë të pakrahasueshme.
Berisha i përshkroi këto shprehje si “dufet dhe mllefet” e atyre që hyjnë në politikë “si shërbëtorë të qeverisë” dhe mendojnë se mund të spostojnë “opozitën vigane”. Ai kujtoi se opozita kishte kaluar “një kalvar të papërsëritshëm në Evropë” dhe u afirmua “si opozita e vërtetë dhe e fuqishme e këtij vendi”.
Në përfundim të deklaratës ai kërkoi që njerëzit të mos impresionoheshin nga ato klithma, duke përsëritur se nuk janë shprehje të idealeve popullore, por prodhim i grupeve të vogla kundërshtare të opozitës shqiptare. Deklarimet u transmetuan nga Top Channel.

