Po mbahet sot në kryeqytet dita e 27-të e protestës qytetare. Qytetarët nisën marshimin në bulevard për t’u bashkuar me pjesën tjetër të tubimit para Kryeministrisë, ku përsëritën pesë kërkesat kryesore dhe, me pankarta, përkujtuan 82‑vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Kërkesat e protestuesve janë: 1) dorëheqja e panegociueshme e Kryeministrit dhe e qeverisë; 2) krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12‑mujor; 3) ndryshime kushtetuese që synojnë barazinë e të gjithë shtetasve para ligjit dhe miratimin e këtyre ndryshimeve me referendum popullor. Si pjesë e kërkesave kushtetuese përmenden, ndër të tjera, ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Kërkesa e katërt përfshin: anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”; anulimin e ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”; shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”; dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
Kërkesa e pestë parasheh përpilimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e hartuar pas konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Një pjesë e protestuesve u grumbullua në sheshin “Skënderbej”, ndërsa të tjerë qëndruan të stacionuar para Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalimet. Disa grupe e shtrinë tubimin deri në orët e para të mëngjesit pa u larguar nga zona përballë Kryeministrisë. Gjatë fjalës së tij në shesh, nismëtari Kola risolli çështjen çame dhe brohoriti “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Top Channel

