Bosnja dhe Hercegovina siguroi kualifikimin në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës pas fitores 3-1 ndaj Katarit, me 18-vjeçarin Kerim Alajbegoviç si protagonist dhe të shpallur lojtarin më të mirë të ndeshjes. Paraqitja e sulmuesit të ri tërhoqi vëmendjen e Zlatan Ibrahimovic, i cili e lavdëroi atë për guximin dhe mënyrën si u paraqit nën presion.
“I gjithë flasin për golin, por për mua ai nuk është gjëja më e rëndësishme. Më e rëndësishmja është guximi. Një djalë 18-vjeçar që luan në Kupën e Botës, nën presion dhe para miliona njerëzve, sikur stadiumi t’i përkiste atij. Kjo është diçka e rrallë”, tha Ibrahimovic. Sipas ish-kapitenit të Suedisë, talenti nuk mjafton pa karakter: “Kur e pashë Kerimin, nuk pashë një lojtar të ri që shpresonte për një ndeshje të mirë. Pashë një futbollist që besonte se ishte më i miri në fushë. Më bëri përshtypje mënyra si kërkonte topin dhe si krijonte vetë mundësitë. Lojtarët e mëdhenj nuk presin rastin, ata e krijojnë atë”.
Ibrahimovic parashikoi gjithashtu një të ardhme të madhe për Alajbegoviç, duke vënë theksin te ruajtja e mentalitetit të treguar: “Njerëzit do të thonë se ky është vetëm fillimi i karrierës së tij. Ndoshta. Por nëse ruan këtë mentalitet, ky gol do të mbahet mend si momenti kur futbolli kuptoi se kush është Kerim Alajbegoviç. Kupat e Botës janë vendi ku lindin yjet dhe sot u prezantua një i ri”.
Me golin ndaj Katarit, Alajbegoviç vendosi një rekord: në moshën 18 vjeç e 276 ditë u bë futbollisti më i ri në histori të Kupës së Botës që shënon nga jashtë zonës së penalltisë, duke lënë pas Kylian Mbappé. 18-vjeçari vjen pas një sezoni të suksesshëm me RB Salzburgun, ku realizoi 13 gola në 44 ndeshje. Ai debutoi me kombëtaren e Bosnjës dhe Hercegovinës në shtator të vitit të kaluar dhe deri tani ka regjistruar dy gola dhe katër asistime në 13 paraqitje.

