Sinoptikania e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Eneida Doçi, shkroi se fundjava do të jetë e përvëluese, në një lidhje direkte në edicionin e lajmeve në Top Channel. Sipas saj, do të depërtojnë masa ajrore të lagështa me origjinë jug-perëndimore nga anticikloni i Azoreve, si dhe masa nga veriu i Afrikës, që do të sjellin mot të nxehtë gjatë pjesës më të madhe të ditës.
Moti pritet të vijojë kryesisht i kthjellët, me vranësira të pakta e kalimtare përgjatë maleve në orët e mesditës dhe pasdites. Do të ketë rritje të ndjeshme të temperaturave, si në vlerat minimale, ashtu edhe në ato maksimale. Sipas parashikimit, zonat më të ndjeshme do të jenë fushat e ulëta, zonat qendrore dhe bregdeti: vlerat minimale mund të shënojnë rreth 26 gradë celcius, ndërsa vlerat maksimale priten deri në 39 gradë celcius për orët e mesditës.
Gjatë javës së ardhshme Doçi paralajmëroi gjithashtu rritje të mëtejshme të temperaturave. Era do të fryjë e lehtë kryesisht nga jug-perëndimi dhe veri-lindja, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në dete valëzimi do të jetë i ulët, i forcës 1-2 ballë.
Në të gjithë territorin pritet mot i kthjellët, megjithëse nuk do të mungojnë vranësirat mesatare, lokalisht të dendura, të cilat mund të shoqërohen me rrebeshe afatshkurtra dhe stuhi në relievet malore.

