Një analizë e World Weather Attribution (WWA), rrjet ndërkombëtar shkencëtarësh, konkludon se vala rekord e të nxehtit që goditi Evropën këtë qershor do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” disa dekada më parë dhe se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu janë “qartësisht përgjegjëse” për intensitetin e saj. Studimi e përshkruan valën si “më të rëndën e regjistruar ndonjëherë në rajon” dhe dokumenton thyerje rekordi në vende si Franca, Spanja, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra, me disa rekorde që u thyen dy herë brenda 24 orësh.
Shkencëtarët analizuan të dhënat e tre ditëve dhe netëve më të nxehta të valës dhe i krahasuan me periudha të mëparshme, përfshirë vitet 1976 dhe 2003. Ata rezultuan se ngjarje të tilla do të kishin qenë pothuajse të pamundura 50 vjet më parë. Raporti vë në dukje se planeti është ngrohur rreth 1.1°C gjatë pesë dekadave të fundit, çka ka rritur ndjeshëm probabilitetin dhe intensitetin e valëve të të nxehtit; në disa raste, një valë e ngjashme me atë të vitit 1976 do të ishte sot rreth 3.5°C më e nxehtë.
Temperaturat e larta gjatë natës përbëjnë një rrezik të veçantë, pasi trupit të njeriut i mungon koha për t’u rikuperuar nga stresi termik. Sipas gjetjeve, nxehtësia e natës në Evropë është tani rreth 100 herë më e mundshme se në vitin 2003. Nga 854 qytete të analizuara në 30 vende evropiane, 45% kanë regjistruar ose janë pranë thyerjes së rekordeve të temperaturës së “globit të lagësht” — një tregues që kombinon nxehtësinë, lagështinë dhe faktorë të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut.
Raporti paralajmëron se Evropa, kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, po përballet me valë të nxehtit gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rënda. Efektet janë tashmë të dukshme në jetën e përditshme: mbyllje shkollash, ndërprerje transporti, probleme energjetike dhe rritje të rasteve fatale. Të dhënat paraprake flasin për qindra vdekje në disa vende, përfshirë mbi 200 në Spanjë brenda pak ditësh dhe dhjetëra në Francë, ndërsa autoritetet presin rritje të shifrave. Shkencëtarët nënvizojnë se pa reduktim të shpejtë të emetimeve të lëndëve djegëse fosile, ngjarje të tilla do të bëhen më të shpeshta dhe më të rrezikshme. “Është çështje se çfarë lloj të ardhmeje duam të kemi,” tha studiuesja Friederike Otto, duke theksuar urgjencën e veprimit global për klimën.

