Pas disa vitesh mungesë, Shqipëria mirëpret sërish Kampionatin Ballkanik të Pingpongut. Edicioni i 33-të po zhvillohet në Elbasan nga 24 deri më 28 qershor, me pjesëmarrjen e 13 ekipeve nga vendet e rajonit dhe një total prej 150 sportistësh e zyrtarësh. Shqipëria paraqitet me delegacionin më të madh, me 22 sportistë, ndërsa organizatorët theksojnë se ky është edicioni i parë në histori që zhvillohet me 13 skuadra pjesëmarrëse.
Organizatorët thanë se rikthimi i kampionatit në Shqipëri tregon besimin që institucionet sportive ballkanike kanë ndaj vendit dhe paraqet një mundësi për promovimin e pingpongut dhe për rritjen e nivelit të sportistëve shqiptarë. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ballkanike të Pingpongut, Miloard Trpkovski, u shpreh mbi organizimin në Elbasan: “Çdo gjë është perfekte këtu dhe jam shumë i lumtur që pas 11 vitesh jemi sërish në Shqipëri. Janë 13 shtete dhe ky është maksimumi në histori, ndaj është një eveniment i veçantë. Kam një falënderim për gjithë këtë organizim që po bëhet në qytetin e Elbasanit dhe jam i bindur se çdo gjë do të shkojë mirë”.
Në një atmosferë festive në Elbasan, garat nisën me synimin për të shpallur kampionët e rinj të Ballkanit dhe për të forcuar lidhjet sportive mes vendeve pjesëmarrëse. Konkursi sjell në vend përfaqësues nga shtetet fqinje dhe përballje mes sportistëve të ndryshëm, duke synuar edhe ngritjen e formës konkurruese të skuadrave dhe rritjen e përvojës ndërkombëtare të lojtarëve shqiptarë.
Kampionati Ballkanik i Pingpongut rikthen në vëmendje aktivitetet rajonale sportive në vend dhe mbart përmasa organizative dhe konkurruese, me pritshmëri për zhvillim të mirëorganizuar gjatë ditëve të garës në Elbasan. Top Channel

