Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference – URC 2026), që zhvillohet më 25–26 qershor në Gdańsk të Polonisë, me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësuesve të biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile nga mbarë bota. Konferenca synon të forcojë mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën dhe të mobilizojë investime për rindërtimin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Punimet e konferencës do të fokusohen në sektorët më të prekura nga agresioni rus, përfshirë energjinë, infrastrukturën kritike dhe logjistikën, si dhe në forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat konsiderohen thelbësore për procesin e rindërtimit. Kjo platformë shërben për koordinimin e mbështetjes politike, financiare dhe ekonomike ndaj Ukrainës, duke bashkuar aktorë publikë dhe privatë në funksion të rimëkëmbjes dhe transformimit afatgjatë të vendit.
Kryeministri Rama do të pritet nga Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, dhe do të marrë pjesë së bashku me delegacionin që e shoqëron në ceremoninë zyrtare të hapjes së konferencës. Më pas, Rama do të mbajë një fjalë përshëndetëse në sesionin e dytë plenar të ngjarjes. Gjatë qëndrimit në Gdańsk, ai do të zhvillojë një seri takimesh dypalëshe me homologë të ndryshëm.
Në kuadër të agjendës zyrtare, kryeministri do të takohet gjithashtu me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, si dhe me drejtues të kompanive ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues të sektorit të energjisë dhe investimeve. Takimet me përfaqësues të biznesit do të kenë fokus nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe identifikimin e mundësive të reja të zhvillimit.
Konferenca bashkon aktorë ndërkombëtarë publikë dhe privatë për të koordinuar ndihmën dhe investimet në funksion të rindërtimit të Ukrainës, me synimin e rimëkëmbjes së infrastrukturës, forcimit të kapaciteteve të sigurisë dhe promovimit të zhvillimit afatgjatë.

