Lionel Messi dha një intervistë të gjatë pas ndeshjes ndaj Austrisë në Dallas, ku shënoi dy gola dhe arriti në pesë gola në turne dhe 18 në historinë e Kupës së Botës. Ai u shfaq në zonën e përzier rreth dy orë e gjysmë pas ndeshjes dhe foli me gazetarë nga e gjithë bota, duke u dukur i qetë, i lirë dhe më i hapur se zakonisht.
Messi theksoi harmoninë brenda ekipit: “Ne argëtohemi së bashku, ky është sekreti ynë. Na pëlqen të jemi së bashku, të luajmë së bashku, të fitojmë së bashku.” Ai vuri në dukje rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në Argjentinë, duke thënë se lojtarët ndihen të obliguar t’u japin gëzim njerëzve që bëjnë sakrifica për të ndjekur ekipin: “Ne e bëjmë edhe për njerëzit tanë. Ata në Argjentinë jetojnë dhe vuajnë për ekipin. E di që e shohin ndeshjen në shkolla, në punë. Edhe ata që vijnë këtu, bëjnë sakrifica. Ne ndiejmë detyrimin t’u japim sërish gëzim.”
I pyetur nëse skuadra ndjehet e “ngopur” pas triumfit në Botërorin e Katarit, Messi tha se, përkundrazi, ekipi vazhdon të kërkojë fitore: “Pavarësisht asaj që thonë njerëzit, kjo skuadër nuk ka më asgjë për të provuar. Ata kanë treguar prej vitesh se nuk dorëzohen kurrë. Por ne duam të fitojmë përsëri. Për këtë jemi këtu.” Për rivalët si Franca, Spanja dhe Brazili ai theksoi përqendrimin në vetvete dhe metodën e punës: “Po mendojmë vetëm për veten tonë. E dimë që është më e vështirë se herën e kaluar, por po e marrim ndeshje pas ndeshjeje, duke u argëtuar në stërvitje. Jemi një familje.”
Messi foli edhe për jetën personale dhe mbështetjen familjare gjatë periudhave të vështira: “Kam një grup të shkëlqyer shokësh skuadre dhe jam shumë mirënjohës. Fëmijët e mi tani e kuptojnë më mirë çfarë po ndodh. Pa familjen time, Antonelën, fëmijët dhe babain tim, nuk do të kisha arritur këtu.” Për penalltinë e humbur ai pranoi se ishte “një gjuajtje e keqe”, u zemërua me veten por ndjeu se e kompensoi me dy golat e tjerë, duke theksuar se më e rëndësishmja është fitorja e ekipit. Për fazën tjetër të turneut ai tha: “Ditë pas dite, ndeshje pas ndeshjeje. Kjo është mënyra e vetme për të fituar Kupën e Botës.”
Duke reflektuar mbi karrierën, Messi tha se ka qenë e gjatë me momente të bukura dhe të vështira dhe se është mirënjohës, por se “ende nuk ka mbaruar.” Ai mohoi se ka zbritje të nivelit pas transferimit në Miami dhe tha se nuk mendon për moshën: “Një ditë trupi im do të më thotë të ndalem, por ajo ditë nuk ka ardhur ende.” Për golin më të bukur në Botëror shtoi se nuk i mban mend të gjitha dhe do t’i shikonte sërish, ndërsa për ditëlindjen e 39-të u shpreh se dëshiron shëndetin e të afërmve dhe të vazhdojë të argëtohet në fushë.

