Sektori i blegtorisë vazhdon trendin negativ edhe për vitin 2025. Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i gjësë së gjallë gjatë vitit të kaluar u ul me 3.8% krahasuar me 2024. Kategoria e bagëtive të imta mbetet më problematike; numri i përgjithshëm i të leshtave në 2025 ra me 0.9%, nga 1.177 mijë në 1.166 mijë krerë.
Në 2025 u regjistruan 570 mijë krerë të dhirta, një rënie prej 7.4% krahasuar me 615 mijë një vit më parë. Ndërkaq, numri i gjedhëve shënoi një rritje të lehtë pas një periudhe të gjatë rënieje: u rrit nga 272 mijë në 275 mijë krerë, shtim me 3 mijë krerë ose rreth 1%. Tkurrja më e madhe vërehet tek fermat që mbarështojnë dosa, të cilat pësuan një rënie prej 28% në një vit, nga 104 mijë krerë në 2024 në 75 mijë krerë në 2025.
Popullsia e shpendëve vazhdoi trendin në zbritje, duke u reduktuar me rreth 1%, nga 6.992 mijë krerë në 2024 në 6.953 mijë në 2025. Ndërkohë, aktiviteti i ndjekur nga bletaria regjistroi shtim: numri i familjeve me koshere bletësh u rrit me 58.000 në 12 muaj, duke arritur në 645 mijë koshere.
Bujqësia e përgjithshme po përjeton ngadalësim; braktisja e fshatit çoi në uljen e kontributit të sektorit ndaj ekonomisë shqiptare në 2025, me një rënie prej 0.3%. Në këtë rezultat ka ndikuar zvogëlimi i prodhimit në sera, i cili përfaqëson 22.1% të totalit të perimeve, por ra me 0.9% krahasuar me vitin e kaluar. Prodhimi i grurit shënoi tkurrje të ndjeshme, me një ulje prej 10.1%.
Nga prodhimet e fushës, perimet e njoma përbëjnë 65.8% të prodhimit total dhe shënuan një rritje prej 1.07% krahasuar me vitin e kaluar. Vlera negative vërehet tek pemët drufrutore dhe ulliri. Top Channel

