Deputetja socialiste Elisa Spiropali publikoi në rrjetet sociale një mesazh duke iu përgjigjur kritikave, sulmeve dhe asaj që ajo e përshkruan si “monitorim digjital e operacional” dhe “kontroll algoritmik” të Kryeministrit Rama. Në postimin e saj në Facebook, Spiropali u bëri thirrje ndjekësve të mos u ndikojnë nga “sulmet banale”, “konspiracionet halucinante” dhe “gjuha e shthurur”, dhe solli një fragment nga poezia e Anna Ahmatovës, të cilën përmendi se lindi më 1889.
Tek posti i saj u cituan vargjet:
“Kaq shumë gurë hodhën përmbi mua
Sa sot asnjë prej tyre s’më frigon,
Me ta një kullë e hijshme u ndërtua,
M’e lartë se çdo kullë ajo qëndron.
Ndërtuesit e saj falënderoj,
Paçka se e ndërtuan me nxitim.
Prej saj më shpejt agimin e shijoj
Dhe diellin kqyr me gjatë në perëndim.
Dhe në dritaren time ditë për ditë,
Fryn erë deti, më flladit.
Në dorën time pëllumbi vjen e çukit,
E në mos mund të shkruaj më diçka,
Një ditë të perëndishme krahëlehtë,
Pres të vijë Muza, për ta shkruar vetë.”
Ndërkohë, gjatë mbledhjes së Grupit të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama deklaroi se mes deklaratave që ka parë “është edhe një thirrje për një marrëveshje të re, për një Shqipëri të re” dhe se ka “shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan një Shqipëri të re.” Ai tha se pritën draftin e një “Shqipërie të re” dhe se ishin të gatshëm të bëjnë një marrëveshje të re, por shprehu frikën se “drafti nuk do të vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është njësoj si të gjitha siluetat e flamingove, njërën prej të cilave e mbante Fatos Lubonja.”
Lajmi është transmetuar nga Top Channel.

