Një valë e të nxehtit ka përfshirë Evropën, duke shkaktuar alarme meteorologjike dhe ndikime të rëndësishme në energji, shëndet publik dhe infrastrukturë. Në Spanjë pothuajse i gjithë vendi u vendos nën alarm të martën, me disa zona të jugut dhe veriut në nivelin më të lartë paralajmërues. Agjencia Kombëtare e Meteorologjisë (AEMET) lëshoi alarme të kuqe për zonat përreth Kordobës, Bilbaos dhe disa pjesë të Kantabrisë, duke paralajmëruar për “rrezik të jashtëzakonshëm”. Në disa zona të Vendit Bask, pranë kufirit me Francën, priten temperatura deri në 40°C, një fenomen i pazakontë për atë rajon.
Franca regjistroi natën më të nxehtë që nga fillimi i matjeve meteorologjike në 1947; temperatura mesatare kombëtare gjatë natës arriti 21.6°C, duke thyer rekordin e vitit 2019. Vala e të nxehtit ka rritur përdorimin e kondicionerëve dhe kërkesën për energji elektrike, ndërsa ulja e shpejtësisë së erës ka kufizuar prodhimin e energjisë së rinovueshme. Situatën e rëndoi edhe mbyllja e përkohshme e një centrali të madh bërthamor në Francë, për shkak të vështirësive me furnizimin me ujë ftohës; kompania EDF njoftoi se pritet rikthimi në funksion javën e ardhshme.
Si pasojë çmimet e energjisë arritën nivele shumëvjeçare: në Gjermani çmimi me shumicë pritet të shkojë në 545.51 euro për MWh, niveli më i lartë që nga qershori 2024; në Francë në 268.67 euro për MWh; në Mbretërinë e Bashkuar rreth 230 paund për MWh. Vala e nxehtit po lëviz drejt Evropës Lindore; në Poloni priten deri në 38°C në Varshavë dhe 41°C në rajonin e Silezisë së Poshtme, me rrezik thyerjeje të rekordeve historike. Autoritetet polake këshilluan kufizimin e qëndrimit jashtë, konsumim të mjaftueshëm uji dhe shmangie të ekspozimit të gjatë në diell.
Në Mbretërinë e Bashkuar shërbimet zjarrfikëse paralajmëruan rritje të rrezikut të zjarreve në pyje dhe kërkuan shmangien e zjarreve të kontrolluara, barbecue-ve dhe aktiviteteve që mund të shkaktojnë flakë. Ekspertët e klimës dhe organizatat mjedisore britanike theksuan se pasojat e ndryshimeve klimatike po bëhen më të dukshme, ndikojnë në shëndetësi, transport publik dhe jetën e përditshme, dhe rrisin nevojën për masa urgjente përshtatëse. Në Londër, stuhitë e forta pas valës së nxehtit shkaktuan përmbytje të menjëhershme dhe ndërprerje të konsiderueshme në rrjetin e transportit; Brigada e Zjarrfikësve raportoi qindra thirrje emergjente dhe apeloi për shmangie të zonave të përmbytura.

